
Kritikat për shkarkime të bordeve dhe emërimin e anëtarëve të saj në krye të tyre, për Qeverinë “Kurti”, ka pasur edhe përgjatë kohës sa kjo qeveri ishte në detyrë. Po këto kritika vazhduan edhe më tej. Për profesorin universitar, Milazim Krasniqi, qeveria “Kurti”, do të dilte më mirë në rast se nuk do ta fillonte hakmarrjen politike.
“Ndoshta ka mundur që të lë një imazh më të mirë, dhe të mos e krijonte këtë idenë e hakmarrjes politike me shkarkime të bordeve në kohën e krizës së madhe”, ka thënë ai për “Front Online”.
Kështu Krasniqi, pohoi se Qeveria “Kurti”, ka shkuar me një dështim shumë të madh.
“Qeveria “Kurti”, ka ardhur me premtime shumë të mëdha dhe ka shkuar me një dështim shumë të madh. Vetë fakti që nuk arriti të mbijetojë në koalicionin me LDK-në, 50 ditë do të thotë është një dështim. Ishte ndoshta një mungesë e përvojës tek Kurti, një lloj arrogance në raport me partnerin e vet të koalicionit që shkaktoi dëm”, ka thënë ai.
Ndërsa për politologun Ramush Tahiri, Qeveria “Kurti”, ka lënë shumë për të dëshiruar.
“Ka qenë një Qeveri e shpresës dhe e ndryshimeve, sidomos në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit mirëpo është qeveri që siç thotë populli, lenë për të dëshiruar, sepse nuk arriti të bëj shumë, edhe për shkak të pandemisë edhe për shkak të rrëzimit. Mosmarrëveshjet partiake dhe gara që të shfrytëzohet Qeveria për përfitime partiake, normalisht që e rrëzoi dhe qeveri të tilla, të konceptit të tillë, nuk do të ketë, sepse Qeveria duhet të udhëheqtë nga programi dhe jo nga programi i partisë”, ka thënë Tahiri./Front Online