Shkruan Afrim Kasolli:
Me 28 shtator Kuvendi i Kosovës kishte miratuar një rezolutë sipas së cilës dënohej sulmi terrorist dhe paramilitar i grupeve të armatosura nga Serbia, me 24 shtator në fshin Banjë të veriut, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku. Kjo rezolutë mes tjerash kërkonte që të zhvillohej “një hetim ndërkombëtarë me qëllim zbardhjen e aktiviteteve terroriste dhe vazhdimin e kampeve stërvitore të grupeve terroriste në Serbi.
Në këtë mënyrë, atëbotë liderët e Kosovës shpresonin se do ta sfidonin edhe ndërkombëtarisht shtetin serb për shkak të rolit të tij në orkestrimin dhe ekzekutimin e këtij sulmi. Po ashtu, Presidentja Osmani, Kryeministri Kurti, Kryeparlamentari Konjufca, në vazhdimësi pohonin se nuk mund ta vazhdonin dialogun me Serbinë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, pas asaj që kishte ndodhur me 24 shtator, pa sanksionimin dhe ndëshkimin paraprak ndërkombëtarë të Serbisë.
Ndërkohë, përfaqësues të shteteve perëndimore e dënonin këtë sulm dhe premtonin se do të mund të merreshin masa sanksionuese ndaj Serbisë, mirëpo paraprakisht nevojitej të kryheshin hetime të pavarura, që do ta dëshmonin përgjegjësinë e këtij shteti në këtë ngjarje. Kurse sa i përket hetimeve ndërkombëtare Mark Ellis, drejtor ekzekutiv i Odës Ndërkombëtare të Avokatëve, me seli në Londër, deklaronte për REL, se “është shumë e rëndësishme që sulmi i 24 Shtatorit të hetohet nga një ekip ndërkombëtar” . Për avokatin Ellis, ekzistojnë disa mënyra se si mund të realizohet ky hetim. E para kjo mund jetësohet nëpërmjet një mandatimi nga Kombet e Bashkuara. Emërohet një trup nga sekretari i përgjithshëm, Këshilli i Sigurimit apo Asambleja e Përgjithshme. Kurse si metodë e dytë ekziston edhe mundësia e mandatimit jashtë sistemit të OKB-së . Në këtë rast do të mund të bëhej kërkesë për një mision shumëpalësh për hetime, ku disa vende bëhen së bashku dhe kryejnë një hetim objektiv dhe intensiv, ngase “është shumë e rëndësishme në rastin e Kosovës që të bëjë përpjekje për të gjetur se kush ka qenë përgjegjës për grupin e terroristëve [në Banjskë], a ka pasur mbështetje shtetërore apo ka vepruar i vetëm. Të gjitha këto duhet të hetohen dhe pa vonesë”.
Mirëpo, mjerisht kanë kaluar më shumë se gjashtë muaj dhe nuk janë kryer hetime ndërkombëtare, sepse Kosova nuk ka kontraktuar ndonjë agjenci për këtë mision, dhe po ashtu as Serbia nuk është sanksionuar dhe ndëshkuar. Madje, as institucionet juridike të Kosovës sikur se prokuroria, ende nuk e kanë e kanë hartuar ndonjë raport zyrtar. Ndërkohë, bashkësia ndërkombëtare deri më tani i ka bërë thirrje Serbisë që t’i dënojë autorët e sulmit të 24 shtatorit në krye me Milan Radoiçiq. Por ky, i fundit vazhdon të endet i lirë madje dhe të takohet më zyrtarë të lartë të shtetit serb edhe pse thuhet se kanë filluar hetimet paralele ndaj tij, si në Serbi ashtu edhe në Kosovë, kurse Interpoli ka lëshuar flet arrest ndaj tij.
E, Bashkimi Evropian, nëpërmjet zëdhënësit të tij Petar Stano, disa herë e ka përsëritur qëndrimin se ajo që ka ndodhur “me 24 shtator nuk do të kalojë pa pasoja, por fillimisht duhet t’i presim hetimet”. Ndërkaq, deri më tani Qeveria e Kosovës e ka dorëzuar një raport në Bruksel, mirëpo i njëjti nuk është pranuar me argumentin se nuk është profesional dhe se një i tillë nevojitet të hartohet nga sistemi i drejtësisë.
Si pasojë e këtyre vonesave deri më tani sulmi dhe krimi i 24 shtatorit ka mbetur ende i pandëshkuar.