Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e përgëzoj popullin e Kosovës përderisa festoni përvjetorin tuaj të katërmbëdhjetë si shtet sovran e i pavarur.
Partneriteti i qëndrueshëm ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës i ka rrënjët në vlerat demokratike të përbashkëta. Si një ndër demokracitë më të reja në botë, Kosova dhe qytetarët e saj me të drejtë janë krenarë për përparimin e arritur gjatë këtyre 14 viteve. Nga ana jonë, jemi krenarë që ju mbështesim në këtë ndërmarrje.
Përderisa pavarësia dhe sovraniteti i Kosovës janë të pakthyeshme dhe të pacenueshme, ndërtimi i institucioneve të fuqishme demokratike dhe gjithëpërfshirëse që iu shërbejnë të gjithë qytetarëve kërkon vendosmëri. Shtetet e Bashkuara qëndrojnë përkrah Kosovës përderisa ajo punon për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për qytetarët e saj.
Ne mirëpresim që Kosova me të drejtë të zë vendin e saj përkrah fqinjëve të saj në institucionet evropiane dhe euroatlantike dhe theksojmë mbështetjen tonë për dialogun e lehtësuar nga BE-ja si mënyrë për të arritur marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve të përqendruar në njohje reciproke.
Ne jemi mirënjohës për lidershipin e Kosovës përtej kufijve të saj – për bujarinë tuaj në pritjen e afganëve të cenueshëm dhe kontributin tuaj për sigurinë dhe stabilitetin global.
Popullit të Kosovës i uroj paqe, prosperitet dhe shëndet përderisa vazhdoni udhëtimin tuaj demokratik dhe përderisa, bashkërisht, e forcojmë edhe më tej miqësinë tonë të palëkundur.
SEKRETARI AMERIKAN I SHTETIT ANTONI J. BLINKEN