×
  • Lajme
  • Lajme

    Kosova pa sovranitet ajror

    FrontOnline
    20 Shkurt 2021

    Biletat e udhëtimit me aeroplan për dhe nga Kosova, mund bëhen më të lira, kurse udhëtimet nga dhe në vendet perëndimore – më të shkurtra, falë hapjes së korridoreve të reja të Kosovës me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Kosova, megjithatë, ende nuk arrin të kontrollojë të gjithë hapësirën ajrore dhe kjo është duke i kushtuar.

    Për hapjen e korridoreve me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut ka njoftuar NATO-ja më 11 shkurt, ku është shtuar se kjo është një arritje e rëndësishme për normalizimin e hapësirës së ulët ajrore mbi Kosovën.

    Në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe Marrëveshjen Teknike Ushtarake të vitit 1999, por edhe me ligjet e tanishme në Kosovë, komandanti i misionit të KFOR-it, përkatësisht NATO-s, është përgjegjës për sigurinë e hapësirës ajrore të Kosovës.

    Hapësira e ulët ajrore e Kosovës menaxhohet nga Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror të Kosovës, e cila ofron shërbime për aeroplanët civilë gjatë fluturimit në hapësirën ajrore të Kosovës me qëllim të aterrimit dhe ngritjes nga Aeroporti i Prishtinës. Ndërsa, hapësira e lartë ajrore nga 6,250 e më lart, e hapur për trafikun komercial nga viti 2014, është nën kontrollin e Hungarisë, përkatësisht të HungaroControl-it, i cili ofron shërbimet teknike të kontrollit të trafikut në këtë lartësi. Kjo për shkak se Kosova ende nuk ka arritur kapacitete për të menaxhuar hapësirën e lartë ajrore.

    Ndryshe, në hapësirën e ulët Kosova deri tash e ka shfrytëzuar vetëm korridorin me Maqedoninë e Veriut, thotë drejtori i Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror (ASHNA), Bahri Nuredini.

    “E rëndësisë së veçantë është se për avio-kompanitë të cilat [operojnë] dhe vijnë nga vendet perëndimore (me hapjen e korridoreve të reja) do të ketë nga 10 deri në 15 minuta fluturime më të shkurtra. Njëkohësisht do ketë më pak emetim të karbonit dhe do të kemi një ambient më të pastër. Besojmë dhe vlerësojmë se kjo do të ndikojë edhe në uljen e kostos së vajtje-ardhjes së biletave për qytetarët”, thotë Nuredini.

    Sipas tij, autoritetet përkatëse vazhdojnë të angazhohen në mënyrë intensive që Kosova të normalizojë plotësisht hapësirën e saj ajrore me vendet fqinje siç janë Mali i Zi dhe Serbia.

    “Ne shpresojmë që në vitin 2021 Kosova, si pjesë e Ballkanit Perëndimor, në aspektin e aviacionit civil, të ketë raporte të normalizuara”, thekson Nuredini.

    Ai shton se komunikimet dhe bisedimet për normalizimin e raporteve në aspektin e aviacionit civil, i ndërmjetëson KFOR-i apo NATO-ja.

    Korridori me Serbinë mbetet i mbyllur

    Korridori me Serbinë është pezulluar që nga viti 1999, gjë që bën që fluturimet të jenë më të gjata, rrjedhimisht edhe më të shtrenjta, për dhe nga Kosova. Edhe pse ka pasur paralajmërime që në dialogun Kosovë-Serbi do të bisedohet për hapjen e këtij korridori, kjo nuk ka ndodhur.

    Ali Aliu, njohës i çështjeve të aviacionit civil, thotë për Radion Evropa e Lirë, se institucionet e Kosovës, deri tash nuk janë marrë sa duhet me çështjet e aviacionit dhe menaxhimin e hapësirave ajrore.

    Sipas tij, çështja e normalizimit të hapësirës ajrore me vendet fqinje është dashur të përfundojë shumë kohë më parë.

    “Doemos është dashur që politika të luajë rolin e saj dhe me këmbëngulje të hyhet në biseda, me këmbëngulje të kërkohet ajo çka na takon si me Serbinë, po ashtu edhe me Malin e Zi. Mendoj se nuk është bërë sa duhet. Ndoshta këtu ka ndikuar mosnjohja e problematikës, shkojnë bisedojnë atje dhe nuk e dinë për çka kanë shkuar”, shprehet Aliu.

    Mekanizmat përkatës, thotë Aliu, kanë arritur të shkollojnë kuadro të reja dhe siç shprehet ai, Kosova tashmë ka edhe infrastrukturën e duhur për menaxhimin e hapësirës ajrore.

    Ndryshe, drejtori i Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror (ASHNA), Bahri Nuredini, thotë se plani në të ardhmen është që Kosova të menaxhojë edhe hapësirën e lartë ajrore. Mosmenaxhimi i hapësirës së lartë, aktualisht po i shkakton Kosovës humbje të konsiderueshme.

    “Kosova çdo ditë që nuk e menaxhon hapësirën e vet ajrore, ka humbje në aspektin financiar dhe e rëndësishme mbi të gjitha është se sovraniteti ajror ende nuk është nën autoritetet vendore. Po, të menaxhohej hapësira ajrore, të hyrat do të ishin relativisht prej 5 deri në 8 milionë euro në vit, por gjithherë në varshmëri prej avio-kompanive, të cilat kanë shfrytëzuar lundrimin ajror në Republikën e Kosovës”, thotë drejtori i Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror (ASHNA), Bahri Nuredini.

    Ai shton se bazuar në të dhënat që kjo agjenci posedon e që janë publike, për vitin 2019 Hungaro-Control ka menaxhuar trafik ajrore prej 150 deri në 170 mijë fluturimesh, të cilat e kanë shfrytëzuar territorin e Kosovës si transit.

    HungaroControl-i më 2014 kishte marrëveshje pesëvjeçare për kontroll të hapësirës së lartë ajrore të Kosovës dhe meqë Kosova ndërkohë nuk kishte arritur t’i plotësonte kriteret, në marrëveshje me NATO-n, i është zgjatur marrëveshja për një afat të pacaktuar./Front Online/

    Punimet në rrjet, KEDS njofton për vendet që s’do të kenë rrymë
    Nga Rubrika
    Lajme26 Prill 2024
    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka rikonfirmuar edhe një herë orientimin strategjik të Kosovës për anëtarësim në BE dhe NATO, gjatë pjesëmarrjes...
    Lajme26 Prill 2024
    MPB njofton se në vendkalimin kufitarë “Bllacë” është ndaluar një shtetas i Kosovës i cili kërkohej nga Interpoli. “Dje në ora 17:20...
    Lajme26 Prill 2024
    Komuna e Prishtinës e ka përzgjedhur fituesin e kontratës për zgjerimin e rrugës nga Ura e Veternikut deri në hyrje të Graçanicës,...
    Të tjera
    Lajme26 Prill 2024
    Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se Qeveria Kurti, gjatë këtij mandati i kanë bërë ‘pikë e...
    Lajme26 Prill 2024
    Sekretarja e përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku  tha se subjekti politik ku ajo bën pjesë në thelb nuk vë vija të kuqe...
    Lajme26 Prill 2024
    Policia e Kosovës ka njoftuar se janë arrestuar pesë të dyshuar për një përleshje në Prishtinë. Rasti ka ndodhur të mërkurën në...
    Lajme26 Prill 2024
    Policia e Kosovës ka njoftuar se brenda 24-orëve kanë ndodhur 62 aksidente trafiku. 18 prej tyre janë më të lënduar, ndërsa 44...
    Lajme26 Prill 2024
    Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se presidenca është shndërruar në zyrë ku noterizohen Ligjet e miratuara...
    Sport26 Prill 2024
    Skuadra e Norrkopingut mbrëmë fitoi 4:2 ndaj Elfsborgut në ndeshjen e vlefshme për raundin e pestë në futbollin suedez. Gol në këtë...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.