Kombëtarja e Kosovës zhvilloi një seancë të lehtë stërvitore gjatë paradites në Kampin Nacional në Hajvali, si pjesë e përgatitjeve finale për përballjen e sotme kundër Rumanisë.
“Futbollistët dardanë, nën udhëheqjen e përzgjedhësit Foda dhe stafit të tij teknik, u angazhuan në ushtrime të lehta fizike dhe disa lojëra të shkurtëra me top, duke u fokusuar në ruajtjen e freskisë fizike dhe koncentrimit të nevojshëm për sfidën e mbrëmjes”, njofton Federata e Futbollit e Kosovës.
Atmosfera në ekip duket të jetë shumë pozitive, me të gjithë futbollistët që treguan përkushtim maksimal gjatë pesë ditëve të kaluara në këtë grumbullim dhe me një motiv të lartë për të nisur këtë edicion të rëndësishëm me fitore.
Stërvitja u përmbyll me një frymë të lartë pozitive dhe entuziazëm, teksa ekipi duket plotësisht i përqendruar për të nisur me fitore këtë edicion të Ligës së Kombeve.
Kosova e Rumania do të përballen sonte me fillim nga ora 20:45 në “Fadil Vokrri”./GazetaExpress/