Kombëtarja e Kosovës do të nisë sot grumbullimin për ndeshjet e shtatorit në Ligën e Kombeve.
Selektori Franco Foda e bëri publike listën e të ftuarve për ndeshjet me Rumaninë dhe me Qipron, që do të luhen në pjesën e parë të këtij muaji.
Ndërsa sot, trajneri gjerman do ta mbajë një konferencë për shtyp prej orës 13:00, përmes së cilës do t’i shpalosë idetë dhe synimet e tij për dy ndeshjet e shtatorit, mbi të gjitha për atë kundër Rumanisë, e cila do të luhet këtë të premte në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
E më pas, gjatë pasdites do të nisë edhe grumbullimi i “Dardanëve”, një pjesë e së cilëve do të jenë në dispozicion të trajnerit që nga sot, ndërsa të tjerët do të bashkëngjiten nesër për ta kompletuar ekipin.
Një pjesë e mirë e lojtarëve luajtën dje me ekipet përkatëse dhe ndërkohë pritet ardhja e tyre në Kosovë për t’iu bashkuar ekipit në përgatitje për ndeshjet e shtatorit.
Kosova synon ta nisë me këmbë të mbarë eksperiencën e re në Ligën e Kombeve më 6 shtator kundër Rumanisë, kurse tri ditë, më saktësisht të hënën tjetër, do ta vizitojë Qipron. /Express