Një kontratë e nënshkruar në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës për “liferimin, testimin dhe implementimin në tërësi të sistemit me pajisjes portative (mobile) për qasje dhe punë në distancë për nevoja të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës” e ka dëmtuar buxhetin e legjislativit për hiç më pak se 130 mijë euro, mjete këto që janë paguar me vendim të Gjykatës gjatë vitit të kaluar, raporton portali Front Online.
Ky dëmtim i buxhetit është vërejtur nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm në raportin për pasqyrat financiare të Kuvendit për vitin 2020, ku sqarohet se operatori ekonomik më 3 korrik të vitit 2015 ia kishte dërguar pajisjet e kontraktuara Kuvendit dhe komisioni i pranimit dhe menaxheri i kontratës kishin bërë raportin e pranimit të pajisjeve me vërejtjen se pajisjet e dërguara nuk i përmbushin kërkesat e kontratës.
Pajisjet e dërguara nuk i përmbushnin kërkesat e kontratës, Gjykata vendosi që Kuvendi t’i paguajë 130 mijë €
Për shkak të këtyre vërejtjeve rreth 3 javë më pas nga operatori ishte kërkuar që t’i tërheq pajisjet.
“Operatori nuk ishte përgjigjur në kërkesat e autoritetit kontraktues, dhe nga këto arsye, më 21.08.2015 kishte ardhur deri te ndërprerja e njëanshme e kontratës nga ana e Kuvendit. Më 30.05.2016, Kuvendi ia kishte kthyer të gjitha pajisjet e pranuara kontraktorit. Për shkak të mospajtimeve në mes palëve, kontraktori kishte paditur Kuvendin dhe kishte fituar kontestin gjyqësor në vitin 2020”, thuhet mes tjerash në raportin e Kuvendit, transmeton Front Online.
Përkundër ankesave të Kuvendit të Republikës së Kosovës në tri instanca gjyqësore, përpjekjet kishin rezultuar të pa sukesshme dhe kontestin gjyqësor e kishte fituar operatori ekonomik.
“Gjatë vitit me dt. 08.12.2020 Vendimin gjyqësor, kontraktori e kishte dërguar në Thesar për ekzekutim të pagesës, dhe Thesari bazuar në nenin 40 të LMFPP, kishte ekzekutuar pagesën në vlerë prej 130,740€. Prej shumës së paguar, borxhi kryesor ishte 87,960€, interesi 42,780€ dhe shpenzimet tjera gjyqësore 3,445€”.
Kompania i mori paratë nga Kuvendi por nuk ia dërgoi të gjitha pajisjet
Pas pagesave të kryera nga Thesari, operatori ia kishte dorëzuar Kuvendit shumicën e pajisjeve të kontraktuara, por jo të gjitha. Në ndërkohë, pasi që kishte humbur kontestin gjyqësor, Kuvendi më 27 korrik 2020 kishte ushtruar padi gjyqësore në Gjykatën Themelore, ndaj operatorit për pasurim të pa bazë, ku kërkohet që pajisjet e kontraktuara t’i dorëzohen nga ana e operatorit, por kontesti ende nuk është shqyrtuar nga Gjykata.
Auditori i Përgjithshëm në raport nga konluduar se kjo kontratë është përcjellë me shumë paqartësi, dhe për pasojë janë paguar shpenzime të konsiderueshme shtesë për pagesën e interesave dhe shpenzimeve tjera gjyqësore, gjë që ka rritur dukshëm koston e kontratës bazë. Për më tepër, përkundër këtyre pagesave, ende nuk janë pranuar të gjitha pajisjet e kontraktuara.
“Sekretari i përgjithshëm duhet të kërkoj nga operatori ekonomik dorëzimin e të gjitha pajisjeve të kontraktuara, si dhe të forcoj kontrollet lidhur me pranimin dhe vlerësimin me kohë të karakteristikave teknike të pajisjeve/mallrave të kontraktuar”, thuhet në raportin e Auditorit.
/Front Online/