Javën e parë të gushtit, Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka hapur konkurs për pranimin e ushtarëve të rinj.
Me ç’rast, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka bërë thirrje për aplikim në konkursin e ushtarëve të rinj.
“Forca e Sigurisë e Kosovës ka hapur konkurs për rekrutë të rinj. Mbeten edhe pak ditë, deri më 21 gusht 2020, që ju të konkurroni për t’u bërë pjesë e ushtrisë së Kosovës. Shfrytëzojeni këtë mundësi të shkëlqyer dhe bëhuni pjesë e ushtrisë të Republikës së Kosovës, e cila është garanci e së ardhmes sonë të sigurt dhe të përbashkët, pa dallim. Bëhuni pjesë e FSK-së dhe jepni ndihmesën tuaj që ajo të perfeksionohet sipas standardeve të NATO-s. Duke qenë pjesëtarë të FSK-së, ju nesër do të jeni ushtarë të NATO-s. Konkurroni për t’u bërë pjesë e FSK-së – pjesë e mozaikut të harmonisë, bashkëjetesës dhe prosperitetit të Kosovës”, ka shkruar Hoti.