Ish-ministri i MPJ-së, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, gjatë një emisioni televiziv, ka folur, për vendimin e Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e Qeverisë “Hoti”.
Ai tha se nuk kanë pritur që Gjykata Kushtetuese do t’i shpallë zgjedhjet.
“Unë kam menduar se Gjykata do ta konstatonte vetëm mungesën e legjitimitetit të votës së deputetit Ethet Arifi, por nuk kam pritur se gjykata do t’i shpallë zgjedhjet”, tha ai në “Debat Plus”.
Konjufca thotë se edhe nëse Gjykata do të thoshte se në sallë kanë qenë vetëm 60 vota të vlefshme mjaftonte që vendi të shkojë në zgjedhje.
“Gjykata ka dashur të shprehet në një formë më eksplicite”, tha ai.
Ish-ministri i Jashtëm nga radhët e LVV-së thotë se ky subjekt nuk është pajtuar shumë herë me vendimet e Kushtetueses por sipas tij kësaj radhe vendimi i saj ka mbështetur pretendimin e Vetëvendosjes.
“Kushtetuesja nuk është fare profesionale pasi ka krijuar pasoja që tashmë po mundohet t’i përmirësoj”, tha ndër të tjera Glauk Konjufca.