Komuna e Prizrenit pritet të bëhet me sallë multifunksionale së shpejti.
Ajo ka shpërblyer me tender 624 mijë euro kompaninë “ALBOSS” për të kryer punët për këtë projekt, raporton “Front Online”.
Tenderi është zhvilluar sipas procedurës së hapur.
“Alboss” ishte njëra nga gjashtë kompanitë sa aplikuan për këtë tender.
Ajo fitoi në fund, ani pse nuk ofertoi më së liri, raporton Front Online.
Kjo për shkak se ishte kompania me çmimin më të lirë në mesin e tri kompanive sa plotësuan kushtet e tenderit.
Në mesin e kompanive kishte një të atillë që ofertoi më lirë, por nuk përmbushi kriteret tjera të kërkuara në Dosjen e Tenderit.
Fjala është për grupin e operatorëve ekonomikë, MBB Construction dhe EdiBau-ing, që konkurroi me shumën e 578 mijë eurove.
Sipas Zyrës së Prokurimit në Prizrenit, këto kompani nuk kanë paraqitur referencat e kërkuara për punët e kryera në vlerë prej 600 mijë euro në tri vjetet e fundit.
Po ashtu janë identifikuar edhe probleme tjera.