Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka deklaruar se mbyllja e bizneseve pa miratim të Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike është një hap drejt falimentimit.
KMDLNj përmes një komunikate për media ka deklaruar se mbyllja e pjesshme gjatë fundjavës në shtatë qytete të vendit, nuk ishte zgjidhja e duhur.
Sipas KMDLNj’së rritja e numrit të rasteve pozitive dhe vdekjeve nga koronavirusi në Kosovë nuk dallon shumë më trendin e rritjes së numrit në vendet tjera.
“KMDLNj , edhe më herët ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës të ndërmarrë disa masa kufizuese për të mbajtur nën kontrollë apo parandaluar eskalimin e situatës , gjithnjë duke marrë parasysh interesin e qytetarëve. Mbyllja e shtatë qyteteve në Kosovë jo që nuk e arriti qëllimin e pritur por e pati efektin e kundërt , si në rritjen e të infektuarve ashtu edhe të viktimave. Madje , në raportin e së dielës del se numri i të infektuarve ishte mbi 700 e që , nëse krahasohet me numrin e testuarve del se 50% e të testuarve kanë dalur pozitiv”, thuhet në reagimin e KMDLNj’së.
KMDLNj ka folur edhe për gjobat që janë shqiptuar ndaj gastronomëve të cilët kanë protestuar kundër masave të Qeverisë.
“Raporti i sotit do ta pasqyron efektin definitiv të karantinimit të shtatë qyteteve në Kosovë e që do të duhej t’iu shërbejë vendimmarrësve për hapat që duhet të ndërmerren në të ardhmen. Gastronomët , që u dëmtuan më së shumti protestuan kundër masave të Qeverisë së Kosovës dhe për këtë përfaqësuesit e tyre u dënuam me nga 500 euro gjobë e që për KMDLNj ,aq sa është i padrejtë, është edhe kundër çdo logjike aq më parë që Qeveria e Kosovës nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për të ndihmuar bizneset e rrënuara apo që janë në prag të rrënimit”, thuhet në reagim.
KMDLNj deklaron se është e pamoralshme nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që nuk po e votojnë Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike.
“Mjetet nga Pakoja Emergjente që kohë më parë ishin ndarë nga Qeveria e Kosovës , KMDLNj i konsideron si mjete paliative apo intervenime që u jepen atyre që janë buzë vdekjes , jo për t’i shpëtuar por për t’ua zvogëluar dhembjet para vdekjes së pashmangshme. Sepse, të mbyllësh bizneset, cilatdo qofshin ato e që paguajnë tatim, pa i përkrahur ato, në fakt është kontribut për falimentimin e tyre, me shumë vende pune të humbura, kriza ekonomike dhe tensione sociale e që pashmangshëm do dhe duhet të çojnë në protesta që duhet të përkrahen nga të gjithë. Mbi të gjitha është shkelje e të drejtave të njeriut, e drejta për punë, në radhë të parë. Për KMDLNj është krejtësisht e pamoralshme dhe e papranueshme që deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk e votojnë programin për Rimëkëmbje Ekonomike aq më parë që ata duhet ta përfaqësojnë dhe mbrojnë interesin e qytetarëve ( votuesve ) pavarësisht subjektit që e përfaqësojnë”, deklaron KLMDLNj.
“Të bëhen lojëra për përfitime politike në kohën kur pjesa dërrmuese e qytetarëve të Kosovës, në mënyrë galopante po shkojnë drejtë varfërimit të skajshëm nuk ka të bëjë asgjë moralin njerëzorë , në radhë të parë , e pastaj atij politik aq më parë që pagat , shumë të shëndosha për deputetët i marrin nga ata që po varfërohen dhe po bëjnë përpjekje , jo për një jetë më të mirë por për mbijetesë. Shteti duhet të sigurojë lehtësira për të gjitha bizneset në përpjekje për rimëkëmbjen e tyre sepse nga ato tatime edhe mbushet Buxheti i Kosovës”, shkruan KMDLNj.
KMDLNj ka kundërshtuar çfarëdo kufizimi të bizneseve nëse Qeveria e Kosovës nuk ofron kompensim të arsyeshëm për humbjet që i pëson biznesi gjatë mbylljes apo kufizimit.