×
  • Opinione
  • Opinione

    Kjo Ukrainë është në orën e saj më të ligë, por errësira është gjithmonë para agimit

    Aliona Hlivco
    08 Janar 2024

    SHKRUAN: Aliona Hlivco

    Ukraina është në orën e saj më të ligë. Derisa bota është e shpërqendruar me shtrirjen e konfliktit në Lindjen e Mesme dhe tensionet në Indo-Paqësor përpara zgjedhjeve tajvaneze, Rusia është duke e vazhduar tërbimin e saj vrastar.

    Vetëm në pesë ditët e fundit, deri në 40 civilë të pafajshëm kanë humbur jetën në qytete dhe qyteza të Ukrainës, me mbi 200 burra, gra dhe fëmijë që kanë mbetur të plagosur. Fotografitë e dritareve të thyera dhe tavaneve të rrëzuara në pemët e Krishtlindjeve të ndriçuara na e transmetojnë një realitet të tmerrshëm ukrainas, larg komoditetit të shtëpive tona paqësore.

    Mbi 300 raketa dhe 200 dronë fluturuan drejt Ukrainës gjatë kohës së Vitit të Ri, duke e bërë atë sulmin më të madh me të cilin është përballur Ukraina deri më sot. Ajo që është më befasuese është se vetëm 14 përbërës të atyre gjysmë mijë raketave dhe dronëve janë të prodhuara në Rusi.

    Tjetra – 2,821 për të qenë të saktë – u importuan qartazi nga ShBA, Zvicra, Japonia, Kina, Gjermania, Tajvani, Holanda, Koreja e Jugut, Britania e Madhe dhe vende të tjera aleate. Rusia vazhdon të përgatisë prodhimin e saj ushtarak, duke anashkaluar me sukses sanksionet e vendosura që nga fillimi i luftës në shkallë të gjerë. Kjo nxjerr në pah jo vetëm mospërputhjen perëndimore, por edhe boshllëqe të rëndësishme në politikat tona globale të sigurisë kombëtare, veçanërisht pasi armët e reja të shkatërrimit në masë paraqesin kërcënime për përshkallëzim të sigurisë globale.

    Këto kërcënime po bëhen më reale ndërsa boshti i ri i së keqes që përfshin Rusinë, Iranin dhe Korenë e Veriut forcohet nga furnizimi i konfirmuar tashmë zyrtarisht i raketave balistike nga Peniani në Moskë dhe negociatat e vazhdueshme për blerjen e më shumë armëve nga Irani. Ka qenë e qartë prej kohësh se Ukraina nuk po përballet thjesht me fqinjin e saj agresiv si një kundërshtar: ajo po lufton me shfaqjen e një force moderne që do të sfidojë rendin botëror siç ne e njohim.

    Derisa Ukraina përballet me tragjedinë e përditshme, ajo gjithashtu e gjen veten të ngatërruar në grindjet e brendshme dhe krizat ekzistenciale të fuqive perëndimore.

    Amerika, një fanar i lirisë dhe demokracisë, është grisur nga ndarjet e saj të brendshme ndërsa përpiqet të rizbulojë rolin e saj të ri në epokën “multipolare” në zhvillim. Për shtetet – ashtu si për individët – nuk është e pazakontë që ky proces rishpikjeje të jetë i dhimbshëm; sa më i fuqishëm të jetë një vend, aq më të mëdha janë sfidat me të cilat përballet dhe aq më i ashpër është kontrolli i jashtëm që pranon.

    Prandaj ShBA përballet me kaq shumë kritika për paqartësinë e saj në Ukrainë, për mungesën e një strategjie gjithëpërfshirëse për luftën e re në Lindjen e Mesme dhe mospërputhjen e saj të brendshme. Pavarësisht njoftimit të Presidentit Biden në ditët e para të presidencës së tij se ShBA “është kthyer”, tensionet janë rritur si brenda Perëndimit ashtu edhe jashtë tij.

    Hipokrizia e perceptuar e SHBA-së midis vendeve të Jugut Global – pjesërisht e nxitur nga propaganda ruse , po vazhdon të heqë stolinë e besueshmërisë nga kurora e Amerikës. Një fushatë elektorale e diskutueshme me zëra të dyshimtë republikanë që bëjnë thirrje për izolacionizëm të plotë dhe egocentrizëm të adoleshentëve, mund ta rrëzojë atë kurorë nga koka e Amerikës krejtësisht.

    Në të njëjtën kohë, Evropa, megjithëse e ndarë nga disa aktorë shkatërrues, po përdor kërcënimin e luftës në pragun e saj për të forcuar ngadalë veten: por jo aq shpejt. Bashkimi Evropian, duke synuar të bëhet një ‘fuqi e re evropiane’, një ditë synon të zgjerohet nga 27 në 36 shtete anëtare. Njëkohësisht, shtetet anëtare po forcojnë aftësitë e tyre ushtarake ndërkohë që ndihmojnë Ukrainën. Gjermania e ka zhvendosur politikën e saj nga pacifizmi në furnizimin me tanke dhe kapacitete me rreze të mesme Iris-T në Ukrainë; por në Berlin duhet shumë më tepër përkushtim. Dërgimi në Ukrainë i armëve me rreze të gjatë Taurus do të nënkuptonte një largim të pakthyeshëm nga mentaliteti i pasluftës së Dytë Botërore në kryeqendrën gjermane.

    Franca, gjithashtu, ka parë një kthesë të rëndësishme në pozicionin e saj në Ukrainë, duke filluar si ndërmjetëse midis Rusisë dhe Ukrainës në Formatin e Normandisë 2015 dhe tani e përcaktuar për të prodhuar më shumë armë për Ukrainën. Së bashku me Londrën, Parisi ishte kryeqyteti i parë që dërgoi raketa me saktësi të lartë me rreze të gjatë ‘SCALP/Storm Shadows’ në vendin në luftë, dhe vetëm këtë muaj, një prodhues kryesor francez i dronëve Parrot do të furnizojë Ukrainën me një dron të ri të prodhuar posaçërisht për të, i projektuar me aftësi për të funksionuar pa GPS. Ishte udhëheqësia franceze, që në partneritet me homologët gjermanë, siguroi një vendim për pranimin e Ukrainës në BE në dhjetor të vitit të kaluar.

    Megjithatë, edhe në Francë, mund të bëhet shumë më tepër nëse dëshiron të përmbushë përgjegjësitë e saj si një fuqi e madhe ushtarake në kontekstin evropian: diçka që ajo ende beson, e armatosur me armë bërthamore, por e ka shfaqur rrallë në historinë moderne.

    Mbretëria e Bashkuar ,mjafton të thuhet, mbetet instrumentale për mbijetesën e Ukrainës, duke udhëhequr tani Koalicionin e Aftësive Detare dhe duke vazhduar të trajnojë ushtarët ukrainas. Nga të gjithë aleatët e Ukrainës, është Britania ajo që ka qenë më e palëkundura dhe më e rëndësishmja në këtë anë të Atlantikut – megjithëse mund të bëhen ende kritika për prioritetet e saj afatshkurtra dhe afatgjata të mbrojtjes.

    Gjashtë muajt hapës të vitit 2024 në fushën e betejës ukrainase do të jenë vendimtare për rezultatin e luftës – edhe nëse ajo vazhdon edhe për disa vite të tjera. Avantazhi që Ukraina do të fitonte, ose do të humbiste, në fushatat e pranverës dhe verës do të përcaktojë rrjedhën e konfliktit dhe ose do të degradojë aftësitë dhe mundësitë ushtarake ruse, ose e kundërta.

    Me kaq shumë zgjedhje këtë vit, një gjë që këshilltarët pragmatikë të fushatës në Evropë dhe ShBA duhet të kenë parasysh është se Ukraina ka qenë një faktor unifikues për vendet perëndimore që nga dita e parë e pushtimit në shkallë të gjerë. Ndryshe nga lufta Izrael-Hamas, ndarja e shoqërive dhe zbulimi i bazës së antisemitizmit, kthimi në temën e Ukrainës mund të kundërshtojë ndarjet dhe t’u kujtojë njerëzve unitetin mbi vlerat themelore njerëzore.

    Detyrimi i Ukrainës në negociata me Rusinë, në fakt, nuk do të ishte asgjë më pak se një kapitullim; dhe bisedat nga realistët politikë për shanset e humbura të negociatave të hershme në mars 2022 keqkuptojnë në thelb qëllimet e Rusisë në këtë luftë. Vëzhguesit perëndimorë shpesh harrojnë se kjo luftë nuk filloi në vitin 2022, por ka vazhduar për gati një dekadë. Ukrainasit e dinë se nuk do të ndalet kurrë nëse Rusia nuk heq dorë plotësisht nga ambiciet e saj perandorake dhe nuk ndodh ndryshimi historik brenda shoqërisë ruse.

    Ndërsa ka pak dyshim se Putini do të sigurojë “rizgjedhjen” këtë pranverë, duhet t’i shikoni zgjedhjet me kujdes dhe të jeni gati për të vepruar. Rrjedha e fushatës nuk është aq e paracaktuar sa do të donte diktatori rus të besojmë të gjithë, siç dëshmohet nga marshimi i Prigozhinit në Moskë në qershor të vitit të kaluar. Pavarësisht përpjekjes së dështuar për të rrëzuar regjimin, ai shfaqi dobësitë e Putinit para shkabave përreth tij.

    Ditët në Ukrainë duken të zymta: sulme të përditshme mbi civilët, lodhje e trupave të vijës së parë – shumë prej të cilëve kanë shërbyer që nga shkurti 2022 – dhe fundi i një ekzistence normale dhe paqësore. Ukrainasit mund të jenë mbinjerëz të ditëve moderne, por ata janë ende njerëz, të rraskapitur dhe duke bartur pikëllim të pamasë dhe tragjedinë e tyre.

    Pra, ky është momenti përcaktues që Perëndimi të ngrihet. Qytetërimi që ka bërë dhe ka ruajtur demokracinë, lirinë dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut ka mbizotëruar shumë herë më parë, por asgjë nuk është e sigurt. Nuk është vetëm e ardhmja e një kombi që po vendoset në Ukrainë tani – është e ardhmja e botës. 2024-a duhet të jetë momenti që Perëndimi kapërcen krizat e veta ekzistenciale, në mënyrë që Ukraina të mund të tregojë fuqive armiqësore se vendosmëria jonë është e qëndrueshme.

    Aliona Hlivco është ish-deputete ukrainase dhe drejtoreshë menaxhuese e “Henry Jackson Society”, grup ekspertësh i politikës së jashtme dhe sigurisë kombëtare të Atlantikut.

    Tekst i publikuar në The Telegraph, përkthyer nga KlanKosova.tv

    Nga Rubrika
    Opinione22 Nëntor 2024
    GJNP ka nxjerrë urdhër-arreste kundër kryeministrit të Izraelit Netanjahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes Gallant. Çfarë do të thotë kjo dhe çfarë pasojash...
    Opinione21 Nëntor 2024
    Nga Hisen Berisha: Kështu veprojnë tradhtarët e të shiturit tek armiqtë e vendit. Në një shtet të konsoliduar me sistem juridik të...
    Opinione20 Nëntor 2024
    Shkruan: Bekim Çollaku Fitorja e presidentit Donald Trump në zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) ka ndezur një debat...
    Të tjera
    Lajme23 Nëntor 2024
    Javën e ardhshme do të vijojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Katër seanca pritet të mbahen nga e...
    Lajme23 Nëntor 2024
    Dogana e Kosovës dhe Policia e Kosovës në rrugën Viti-Gërlicë kanë ndaluar për kontroll një automjet, që po drejtohej nga një person...
    Vip23 Nëntor 2024
    Gjesti po mendon se Xheneta ka pëlqim për një tjetër burrë brenda shtëpisë më të madhe në vend. Kështu i tha ai...
    Sport23 Nëntor 2024
    KH Rahoveci ka pësuar humbje në ndeshjen e parë ndaj ekipit rumun CS Minaur Baia Mare në kuadër të EHF European Cup....
    Bota/Rajoni23 Nëntor 2024
    Opozita shqiptare ka njoftuar se do të zhvillojë sërish një protestë me bllokimin e disa akseve rrugore, më 26 nëntor, si një...
    Vip23 Nëntor 2024
    Një përplasje e ashpër ndodhi mes Xhenetës dhe Anisës. Madje kjo e fundit ia kapi fjalët, e me këtë veprim nuk u...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.