Dueli ndërmjet Ferizajt dhe Ulpianës nuk e ka gjetur fundin. Takimi është ndërprerë në minutën e 95-të, pasi që gjyqtari kryesor i ndeshjes Petrit Rama është sulmuar nga një tifoz i skuadrës vendase, raporton Gazetasheshi.
E gjithë situata ka ndodhur në një tollovi të krijuar në minutën e pestë shtesë, teksa ambullanta dhe stafi mjekësor i dy skuadrave janë futur në fushën e lojës për t’i dhënë ndihmën e parë një futbollisti të Ferizajt.
Në këtë situatë, një tifoz ka kaluar rrethojat e fushës dhe është futur për ta sulmuar direkt gjyqtarin kryesor të këtij takimi, Petrit Ramën, i cili nuk e kishte ndalur lojën kur futbollisti i Ferizajt ndodhej në gjendje kritike për jetë.
Pas gjithë kësaj tollovie, gjyqtari Rama e ka mbyllur ndeshjen me ‘bilbilin’ e tij, ndërkohë që tollovia ka vazhduar edhe më pas.
Është dashur edhe intervenimi i Policisë së Kosovës për ta qetësuar situatën, e cila kishte agravuar në masë të madhe.
Futbollisti i Ferizajt aktualisht ndodhet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, me ç’rast po e merr ndihmën e parë.