Në përpjekjen e vazhdueshme për ta pushtuar Ukrainën, Vladimir Putini është gati t’i përdorë armët bërthamore. Ose, kështu po thotë Vladimir Putini. Arsyeja është se deri tash me të drejtë është mundur pushtimi i tij dhe ai nuk sheh rrugë tjetër para. Perspektiva e një përshkallëzimi të tillë është e tmerrshme. Një vijë do të kalohej. Fuqitë e armatosura bërthamore, në mbarë botën, do ta konsideronin këtë si një licencë. Mund të mos jetë fundi i botës, por mund të jetë thjeshtë fillimi i fundit.
Me gjithë entuziazmin e politikanëve perëndimorë për poshtërimin e Putinit, është me rëndësi të theksohet se sa e disiplinuar ka qenë mbështetja e Perëndimit për Kievin. Po, NATO rrezikoi bastin duke i avancuar kufijtë e saj drejt Lindjes, pas vitit 1991, gjë që sipas George Kennanit është “gabim më fatal i epokës pas Luftës së Ftohtë”. E tallte paranojën e Rusisë dhe rrezikoi shfaqjen e një patrioti luftarak, gjë që ndodhi në rastin e Putinit. Por, në asnjë moment Perëndimi nuk i ka marrë armët kundër Rusisë, edhe kur Rusia sulmoi dhe “riatdhesoi” në mënyrë të njëpasnjëshme zonat e Gjeorgjisë fqinje, Çeçenisë dhe madje edhe të Ukrainës.
Pushtimi pranveror i Ukrainës, nga Moska, ishte në nivel krejtësisht tjetër nga ndërhyrja e vitit 2014 në Donbas. Ishte aq flagrante dhe brutale saqë mbështetja ushtarake e jashtme, për Kievin, ishte sa humanitare aq edhe strategjike. Por, që në fillim, NATO nuk bëri asgjë për të vërtetuar gënjeshtrën e Moskës se Perëndimi kishte kapur armët kundër tokës ruse. Nuk do të ketë raketa me rreze të gjatë, asnjë bombardues apo trupa perëndimore që luftojnë në terren. Vetëm përmes sanksioneve ekonomike, Perëndimi i dha besueshmëri pretendimit të Putinit se po e sulmonte vetë Rusinë.
Putini i ka bërë shumë dëm kombit të vet. E shfaqi ushtrinë si farsë të Potemkinit, e gjeneralët si lajkatarë të paaftë. Shumë prej njerëzve të tij, rusë krenarë që kanë mbështetur prej kohësh fjalorin e tij bombastik, tani janë haptazi kundërshtar të mobilizimit. Sondazhet tregojnë se një e katërta deri te gjysma e rusëve e kundërshtojnë luftën. Vetëm telashi skpektakolar i shkaktuar në Perëndim përmes sanksioneve hakmarrëse të Moskës për gazin, ia ka dhënë Kremlinit njëfarë relaksi. Përndryshe, Putini nuk ka opsione. Ashtu si shumë komandantë që janë detyruar të tërhiqen, torturohet nga zgjedhja e përshkallëzimit ose e humbjes së tmerrshme.
Gjatë Luftës së Ftohtë, civilët e Evropës u mësuan si t’i përgjigjeshin shkëmbimit të mundshëm termonuklear. Tmerri i “shkatërrimit të sigurt të ndërsjellë” ishte aq i rrënjosur saqë u fut në diplomacinë e fuqive të mëdha dhe krijoi një infrastrukturë kanalesh të pasme dhe neveri ndaj aksidenteve. Aludimi më i thjeshtë i rrezikut, si gjatë krizës kubane në 1962, dhe mosfunksionimi i radarit më 1983, solli rikthim të shpejtë në mendje të shëndoshë.
Nuk ka asnjë arsye – ose nuk duhet të ketë arsye – për ta parë krizën aktuale si kthim në Luftën e Ftohtë dhe konfrontim bërthamor. Fuqitë e mëdha nuk janë në zënka ekzistenciale. Edhe nëse Putini kërcënon vetëm me armët taktike bërthamore. Duke pasur parasysh dobësinë e forcave të tij në terren, është e vështirë të shihet se çfarë përfitimi do t’i sillnin armët e tilla, në atë që është luftë konvencionale e këmbësorisë mbi një territor. Do të ishte gjest i tillë që me siguri do të humbiste mbështetje si brenda ashtu edhe jashtë vendit – mes admiruesve të tij të supozuar në Kinë dhe në Indi. Sa i përket një “përgjigjeje” bërthamore nga Perëndimi, ajo nuk do të shërbente për asnjë qëllim taktik dhe thjesht do t’i hapte portat e përshkallëzimit.
Na është thënë se nëse Putini do të binte, figurat “e linjës më të ashpër” brenda rrethit të tij do ta zëvendësonin atë. Rusia është si të gjitha regjimet nën sanksione. Elitat e rrethuara i shtyjnë kundërshtarët dhe të moderuarit në nëntokë ose në mërgim. Ata mbrohen nga hendekët dhe gjithnjë e më pak janë të prekshëm ndaj diplomacisë dhe presionit ekonomik. Megjithatë, të gjitha luftërat duhet të marrin fund. Rusia në Ukrainë ka vazhduar për tetë vjet, gjë ka marrë gjithnjë e më shumë ngjyrat e një konflikti të përfaqësuar nga Perëndimi kundër Lindjes. Këtu qëndron rreziku i përshkallëzimit të Putinit.
Ndihma perëndimore ia ka mundësuar Ukrainës që t’i kthejë trupat ruse drejt kufijve të vitit 2014. Ukraina dhe Perëndimi kanë qenë të bashkuara për ta sfiduar një regjim brutal dhe autoritar dhe kanë qenë kryesisht të suksesshëm. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, e rrezikon tani atë unitet duke deklaruar se dëshiron gjithnjë e më shumë ndihmë perëndimore për ta dëbuar Rusinë nga e gjithë Ukraina, përfshirë Krimenë.
Derisa kauza e tij mbetet e drejtë, duhet të vijë një moment kur lufta për ta pushtuar të gjithë Ukrainën bëhet një nga ato ku mund të vihet një vijë armëpushimi, si me shkeljet e Rusisë të sovranitetit të fqinjëve të saj në Çeçeni, Gjeorgji, Krime dhe Donbas. Në një moment, ndoshta pas një lëvizjeje të fortë ukrainase drejt lindjes, duhet të jenë një përpjekje tjetër për t’i inkurajuar palët që të bien dakord për një paqe. Marrëveshjet e fundit mbi eksportet e grurit dhe shkëmbimet e të burgosurve tregojnë se ekzistojnë disa kanale.
Kjo do të thotë sfidë e re. Bota e kompromiseve, plebishiteve, kufijve dhe garancive mund të jetë më pak dramatike se ajo e armëve, bombave, tankeve dhe daulleve të luftës. Por, duhet të jetë bota e së ardhmes. Ajo duhet të parashikojë rindërtimin e Ukrainës. Nuk ka asnjë interes të besueshëm për të ringjallur tmerret e konfliktit bërthamor midis Lindjes dhe Perëndimit, vetëm sepse një sundimtar rus u largua prej mendjes së shëndoshë./Telegrafi