Ftesa e këngëtarit serb, Goran Bregovic, në Festën e Birrës në Korçë ka zgjuar reagime të shumta, madje shumë personazhe të njohur janë shprehur hapur se do ta bojkotojnë këtë event.
Më i fundit është reperi shumë i dashur nga publiku, Unikkatil, i cili jeton prej vitesh në SHBA.
Përmes një postimi në “Facebook”, ai ka deklaruar se kjo ftesë tregon nivelin e respektit që organizatori e ka për torturat e vrasjet që Serbia i ka bërë ndaj shqiptarëve të Kosovës.
Sipas Unikkatil, ndëshkimi më i mirë do të ishte nëse bojkotohet koncerti dhe sidomos ajo birrë përgjithmonë.
“Ftesa e këtij shkavellit në atë koncert e tregon nivelin e respektit që organizatori e ka për torturat e vrasjet që Serbia i ka bërë ndaj shqiptarëve të Kosovës. Ndëshkimi më i mirë kish me qenë nëse bojkotohet ai koncert e sidomos ajo birrë përgjithmonë”, ka shkruar ai i revoltuar.
Kujtojmë që administratori i Birra Korça, Dhimitri Zonja ka sqaruar pak më parë se i gjithë aktiviteti organizohet nga Bashkia e Korçës dhe është pikërisht ajo që vendos dhe për të ftuarit.