Maqedonia e Veriut ka shpallur tre ditë zie në vend, në nderim të humbjeve të jetës në orët e mbrëmjes së djeshme si pasojë e flakëve që pushtuan spitalin modul të Tetovës, ku ishin të shtruar pacientë që trajtoheshin për covid-19.
Fatkeqësisht zjarri që zgjati për 2 orë mori jetën e 14 pacientëve.
Këngëtarja e njohur, Elita Ziberi ka folur rreth ngjarjes që në momentet e para duke e përshkruar si një tmerr të përjetuar :
“Ishte një tmerr, ende dridhem kur e mendoj.
Ka shumë persona të vdekur, ca thonë 20, ca thonë më shumë.
Por në qytet vinte era e rëndë, gjithçka u shkrumbua.
Nuk e mendoj se është reaguar shumë shpejt, njerëzit krejt janë djegur.
Ka pasur disa persona që kanë shpëtuar.
Jam shokuar, nuk e di…” është shprehur këngëtarja për “Breaking”.
Ajo gjithashtu njoftoi se në këtë tragjedi ka humbur jetën mikja e saj 29 vjecare e cila ndodhej në spital për të ndihmuar nënën e saj e cila trajtohej aty.
Sipas Zyberit, reagimi ka qenë i vonshëm duke lënë gjithcka të shkrumbohej.
Mikja e këngëtares mësohet se ka humbur jetën së bashku me nënën e saj .
Autoritetet maqedonase po punojnë vazhdimisht për zbardhjen e kësaj ngjarjeje teksa media ka hedhur dyshime mbi strukturën dhe gabimet në ndërtim të spitalit që janë raportuar disa ditë më parë.