×
  • Opinione
  • Opinione

    Katër vdekje pa një festë

    Imer Mushkolaj
    01 Janar 2024

    Një rrëfim për humbjen e njerëzve që i do, një dedikim për njerëzit e afërm, për jetën e padrejtë dhe festat që na mallëngjejnë.

    Shkruan – Imer Mushkolaj

    Emrin e kam marrë nga vëllau i gjyshit tim. 110 vjet më parë, më 1913, ai dhe të tjerë u vranë nga forcat serbe. Gjyshi ma vuri emrin në kujtim të tij. Gjyshja nuk ishte e kënaqur fare me këtë zgjedhje dhe, në shenjë proteste, si fëmijë më thërriste në emër tjetër. I tingëllonte më modern, më përshkrues për mua.

    I lindur në vitin e fundit të shekullit XIX, gjyshi jetoi 92 vjet. Shpesh rrëfente për jetën e vështirë nën regjime të ndryshme. Ia doli të përjetojë edhe rënien e komunizmit. Kur vdiq, në qershor të vitit 1991, unë sapo kisha mbaruar shkollën fillore. Në shtator, regjimi serb nuk na lejoi të uleshim në bankat e gjimnazit. Pas pak muajsh nisi odiseada e mësimit në shtëpi-shkolla.

    Atë vit nuk e festuam Vitin e Ri. Dhimbja për humbjen e gjyshit u përzie me gjendjen e rëndë ekonomike, sociale e politike. Një situatë që më së vështiri e përjetonte babai. I duhej të rropatej për të siguruar jetesën pa ndihmë nga askush.

    Rrëfimet e tij për jetën që kishte jetuar kishin fare pak pika të ndritshme. Punë dhe sakrificë ishte e mbushur jeta e tij. I mbetur jetim që në lindje, gëzimet për të kishin qenë të pakta.

    Festat, si Viti i Ri, sikur e nxjerrnin pak nga bota e tij. Këshu ndodhi deri në vitin 1997, kur babai vdiq. Një ndër vitet e rënda për shqiptarët, në Kosovë e Shqipëri.

    Vdekja e tij na goditi rëndë. Ai la zbrazëtirë të madhe dhe iku në një kohë të keqe për familjen. Atë vit nuk e festuam Vitin e Ri. Dhimbja për humbjen e babait u përzie me gjendjen e rëndë politike. Po vinte era luftë.

    Lufta nisi një vit më vonë. Erdhi si papritur, si tinëz, teksa njerëzit kishin filluar njëmend të besonin se liria do të vinte pa shkrepur asnjë plumb dhe pa derdhur asnjë pikë gjak.

    Lufta është rrëfim në vete, ashtu si dhe vitet e para pas saj. Të nisësh gjithçka nga e para ishte shumë e vështirë. Por, me angazhimin e dy grave të forta, gjyshes dhe nënës, gjithçka u bë më e lehtë.

    * * *

    Ndërrimin e moteve në vitet e para pas luftës shumica e njerëzve e festonin të lumtur që ishin gjallë, që kishin shpëtuar nga lufta e tmerrshme. Të tjerë vazhdonin të numëronin plagët.

    Plagët e luftës dhe të jetës i numëronte edhe gjyshja. Vitet pas luftës i konsideronte “dhuratë” sepse, siç thoshte, ka mundur të vritej fare lehtë nga forcat serbe. Një grua e fortë, malësore, plot jetë, e cila, bashkë me nënën, bënte çmos që asgjë në shtëpi të mos mbetej keq. Ndonëse në moshë të shtyrë, punonte fort.

    E tillë mbeti deri në vitin 2011, kur vdiq. Rrafsh 20 vjet pas gjyshit. Atë vit nuk e festuam Vitin e Ri. Dhimbja për humbjen e gjyshes ishte e madhe, ashtu siç ishte edhe porosia e saj që të mos mërziteshim, mos të mbanim zi.

    Ikja e saj e goditi rëndë nënën. Dyzet vjet jetë bashkë nuk janë pak. Bashkë në vuajtje e gëzime. Bashkë në skamje e kamje.

    Papritur, në janarin e sivjetmë, nëna iu bashkua babait, gjyshit e gjyshes. U varros afër tyre. Me vdekjen e saj mori fund një epokë. Na u duk se u rrënua bota. Na duket se bota nuk ka më kurrfarë kuptimi.

    Nëna i donte festat, ahengjet. I shijonte ato, veçanërisht festën e ndërrimit të moteve. E urtë, fisnike, plot dashni, ajo ishte një shpirt i lirë.

    Për tridhjetë vjet, në familjen tonë përjetuam katër vdekje. Për tridhjetë vjet hapën katër varre. Në ta, veç trupave pa jetë, u varros një pjesë e jetës së neve të gjallëve.

    As sivjet nuk do të festojmë Vitin e Ri. E di, po të kishte mundësi, nga atje ku është, nëna do të më qortonte, duke më thënë të festoja e të gëzoja. Sepse, thoshte ajo, jeta duhej jetuar. Por, mua më mbetet veç t’i sjell ndërmend çastet e bukura me gjyshin, gjyshen, babain e nënën. Gëzuar!

    Falja e Fitër Bajramit në “Haxhi Ibrahim Devolli” në Pejë, festë me tekbire e ilahi
    Nga Rubrika
    Opinione02 Maj 2024
    Nga: David A. Andelman / CNN Për 44 vjet, herë pas here isha banor i Francës, ndonjëherë në formë të përhershme, më...
    Opinione01 Maj 2024
    Nga: Daniel Michaels / The Wall Street Journal (titulli origjinal: NATO Prepares to Face Russia – and Problems of Its Own) Trupat...
    Opinione30 Prill 2024
    Nga: David Robson / The Atlantic Në vitin 1986, miliona filipinas dolën në rrugët e Manilës, duke protestuar në mënyrë paqësore (në...
    Të tjera
    Lajme02 Maj 2024
    Deputeti I Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka thënë sot se Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti e ka marrë...
    Lajme02 Maj 2024
    Deputetët britanikë sot do të mbajnë një debat mbi sigurinë në Ballkanin Perëndimor. Këtë debat e ka futur në agjendë deputetja Alicia...
    Lajme02 Maj 2024
    Sot më 2 maj, shënohet 25 vjetori i Masakrës së Studimës, ku forcat serbe vranë 116 civilë të këtij fshati të komunës...
    Sport02 Maj 2024
    Rreth 100 mijë bileta ishin paraparë të vendoseshin në shitje online sot për Kampionatin Evropian të futbollit. Por, uebfaqja e Euro 2024...
    Sport02 Maj 2024
    Komisioni i Shkallës së Parë për Licencimin e klubeve për garat e UEFA-s i Federatës së Futbollit të Kosovës, ka marrë vendimet...
    Lifestyle02 Maj 2024
    DASHI Për ju po fillon një fazë rikuperimi që do të zgjasë disa ditë. Muaji maj nuk ka nisur në mënyrën më...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.