Karteli i drogave ‘Jalisco New Generation’ raportohet tashmë si forca kryesore në luftën e pandalur të trafikut në Meksikë, anëtarët e së cilës kanë kryer akte të tmerrshme dhune teksa sigurojnë shpërndarjen e produkteve të tyre nëpër botë. Vitin që kaloi ata kishin varur 12 njerëz të vrarë nga një urë, në shenjë sinjali për rivalët.
Kjo organizatë brutale është bërë një forcë më e madhe se vetë perandoria kriminale e El Chapo, pretendojnë ekspertët.
Jalisco New Generation (CJNG), është e drejtuar nga Nemesio “El Mencho” Oseguera Cervantes, një ish-aleat i Chapo, dhe vepron në 35 shtete të Meksikës, si dhe në Puerto Rico.
Në korrik autoritetet llogarisnin se banda kujdesej për trafikimin e një të tretës së të gjitha drogave që transportohen nga Meksika në SHBA.
Produktet e saj janë shitur gjithashtu në Evropë e Azi.
Analisti Dr Robert J Bunker, beson se karteli Sinaloa, i drejtuar tashmë nga bijtë e Chapo dhe ish-aleati partner Ismael “El Mayo” Zambada, tashmë vepron në hije të organizates së re kriminale.
Bunker tha për mediat: “Forcat federale meksikane të sigurisë janë shumë më të fuqishme sesa kartelat e drogave. Por çështja është se ato janë të shpërndara në të gjithë vendin kundër kriminalitetit dhe tashmë duhet t’i përgjigjen dhe rrezikut të përhapjes së pandemisë në Meksikë.”
“Prandaj CJNG aktualisht duket se është një forcë më e madhe sesa karteli Sinaloa në përgjithësi në Meksikë e jashtë saj.
“Megjithatë Sinaloa mbetet më e fortë në disa nga territoret e saj të vjetra si Culiacan e rajonet e saj”.
Në një video të muajit të shkuar anëtarë të grupit CJNG brohorisnin emrin e Menchos dhe shfaqnin armët e stilit ushtarak në një mjet të mundshëm propagande.
Pas zhurmës së shkaktuar nga pamjet, Alfonso Durazo, sekretari i sigurisë civile të vendit tha se asnjë grup kriminal nuk mund të konkurrojë forcat federale të sigurisë”.
Ndërsa Bunker tha për pamjet: “Video është e saktë. Ne kemi gjurmuar prej kohësh videot e propagandës së këtij karteli dhe shihet që skuadrat e tyre të vrasjes po bëhen më të sofistikuar në lidhje me pajisjet dhe stërvitjen”.
Një burrë i identifikuar vetëm si Francisco, thotë se ishte gënjyer të hynte në një kamp stërvitjeje të kartelit CJNG në malet e Guadalajara pasi i ofruan punë si roje sigurie.
Ai thotë se anëtarët e bandës ekzekutuan një burrë se nuk montoi korrektësisht një pistoletë.
Francisco thotë se më pas u detyrua të priste dorën e tij e ta hante.
“Duhet ta bëja, nuk kisha zgjidhje tjetër. Më kujtohet mirë frika, gjaku.” /TCH/