Dhjetë persona janë qëlluar, ku dy kanë vdekur dhe dy të tjerë u plagosën rëndë, orët e hershme të së dielës, në një klub nate në Greenville, në Karolinën e Jugut.
Shpërthimi i dhunës ndodhi nga disa persona të cilët dyshohet se ishin të lidhur me banda, raporton policia.
Policia dyshon se para ardhjes së zyrtarëve, një grup njerëzish u larguan nga skena kaotike, shkruan “Reuters”.
Ndërsa, një turmë e madhe personash të tjerë ishin mbledhur për “një lloj koncerti të 4 korrikut”, tha Sherif Hobart Lewis i Qarkut Greenville, në një konferencë për medie.
Dy policë po kalonin afër klubit pak para orës 2 të mëngjesit. Ata dëgjuan të shtënat dhe panë një turmë prej rreth 200 personash, tha Lewis.
Zyrtarët identifikuan dy personat e vrarë, njëri 23 dhe tjetri 51 vjeç. Raportohet se i ndjeri, 51 vjeçar, ishte roje sigurie në klub.
Ende nuk ka informacione me të hollësishme në lidhje me të plagosurit ose të dyshuarit e kësaj ngjarje.
Për këtë, Lewis u tha gazetarëve se policia është në kërkim të “anëtarëve të njohur të bandës”, dhe se incidenti ishte “ndoshta i lidhur me bandën”.