Vizitën e saj në Tiranë, Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, e nisi me një takim me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj.
Në fokus të takimit ishte procesi i zgjerimit evropian në rajonin e Ballkanit, ecuria e Shqipërisë në negociatat e anëtarësimit në BE, politika e jashtme e Shqipërisë dhe roli i saj në rajon.
Presidenti shqiptar i shprehu Përfaqësueses së Lartë Evropiane mirënjohje për angazhimin e palëkundur dhe vëmendjen e veçantë që i ka kushtuar integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE, sikurse thuhet në deklaratën për shtyp të presidencës.
Zgjerimi i Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor u vlerësua si mjeti më efektiv gjeopolitik, thelbësor për ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetin në rajon. Begaj rikonfirmoi se Shqipëria do të vazhdojë të luajë një rol proaktiv në bashkëpunimin rajonal në Ballkanin Perëndimor, duke vepruar si një faktor stabilizues. Kreu i Shtetit shqiptar i shprehu përfaqësueses Kallas falënderim për Planin e Rritjes dhe mbështetjen financiare që Bashkimi Evropian ka dhënë ndaj Shqipërisë dhe rajonit.
Tutje, Begaj konfirmoi se Shqipëria është e përkushtuar në ruajtjen e vlerave thelbësore të BE-së: respektimin e të drejtave themelore.
Presidenti shqiptar gjatë bisedës me Kallas, shprehu synimin e vendit për hapjen e të gjithë grup-kapitujve brenda këtij viti dhe mbylljen e pjesës teknike të negociatave, duke përfunduar kapitujt deri në vitin 2027 dhe anëtarësimin e plotë në 2030-ën.
“Angazhimi i Shqipërisë ndaj objektivit strategjik për integrimin në BE mbetet një prioritet kyç”, tha Kreu i Shtetit shqiptar.
Për sa i përket ecurisë në reformat që mundësojnë anëtarësimin e vendit në BE, Begaj garantoi Kallas se Shqipëria mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj programit të transformimit dhe reformave që synojnë përmirësimin e sistemit politik, forcimin e qëndrueshmërisë ekonomike dhe krijimin e kushteve të favorshme për mirëqenien e qytetarëve. Gjithashtu, Begaj theksoi faktin se populli shqiptar e ka mbështetur vazhdimisht integrimin në BE gjatë tre dekadave të fundit dhe entuziazmi për anëtarësim mbetet më i larti në rajon, mbyllet njoftimi për shtyp i presidencës.