
Kryeministri britanik, Boris Johnson, ka thënë se nuk ka dyshim që alternativa e vetme ndaj propozimeve për Brexit-in, të cilat do t’ia dërgojë sot Brukselit, është largimi nga BE-ja pa marrëveshje.
Duke folur në konferencën e Partisë Konservatore në Mançester, kryeministri tha se plani i tij do të ishte kompromis nga Britania e Madhe, por shpreson që Bashkimi Evropian do ta kuptojë këtë dhe të bëjë kompromis edhe nga ana e vet.
Në anën tjetër, Komisioni Evropian ka thënë se do t’i shqyrtojë propozimet e kreut të qeverisë britanike në mënyrë objektive.
Qeveria britanike ka bërë të ditur se nuk do të futet në negociata për një shtyrje tjetër të Brexit-it pas datës 31 tetor, duke thënë se një gjë e tillë do të ishte e panevojshme dhe do t’i kushtonte vendit shumë financiarisht.
Megjithatë, sipas ligjeve të miratuara nga kuvendi britanik, kryeministri duhet të kërkojë shtyrje të re të këtij procesi, nëse deputetët nuk e mbështesin marrëveshjen për largim nga BE-ja, shkruan “BBC”./Front Online/