Ushtria izraelite thotë se ajo goditi objektiva militantësh në Rripin e Gazës, përfshirë një vend prodhimi armësh, pasi të premten gjashtë raketa u shkrepën nga territori i Gazës.
Nuk ka raporte të menjëhershme për viktima ose dëme të mëdha, raporton AP.
Por, i dërguari i Kombeve të Bashkuara për Lindjen e Mesme, Nickolay Mladenov, paralajmëroi se situata po “përkeqësohej shpejt” dhe se “jeta brenda territorit të bllokuar palestinez ishte bërë e padurueshme”.
Izraeli dhe Hamasi, grupi militant islamik që udhëheq me Gazën, kanë shkëmbyer zjarr në disa raste javët e fundit.
Hamasi po bën presion ndaj Izraelit për të lehtësuar bllokadën e tij në Gaza dhe të lejojë projekte zhvillimi në shkallë të gjerë. Egjipti dhe Katari po përpiqen të ndërmjetësojnë një armëpushim joformal.
Bassem Naim, një zyrtar i Hamasit, paralajmëroi për përshkallëzim të mëtejshëm, duke thënë se “kushtet katastrofike që Rripi i Gazës po kalon janë të pashembullta”.
Izraeli dhe Egjipti vendosën një bllokadë në Rripin e Gazës, pasi Hamasi mori pushtetin nga forcat rivale palestineze në vitin 2007. Izraeli thotë se bllokada është e nevojshme për të parandaluar Hamasin të shtojë arsenalin e tij.
Izraeli dhe Hamasi kanë zhvilluar tre luftëra dhe disa beteja më të vogla që nga vendosja e bllokadës.