×
  • Bota/Rajoni
  • Bota/Rajoni

    Italia miraton ligj të ri për deportimin e emigrantëve

    FrontOnline
    22 Tetor 2024

    Qeveria italiane miratoi të hënën një ligj të ri që synon të tejkalojë pengesat juridike për zbatimin e marrëveshjes së debatueshme me Shqipërinë për emigrantët. Sipas dekretit të ri, që ka hyrë menjëherë në fuqi, qeveria italiane ka shkurtuar listën e vendeve që i konsideron të sigurta. Emigrantët që nuk do të fitojnë statusin e azilantit nuk do të deportohen drejt vendeve të pasigurta.

    Numri i vendeve që Italia i konsideron të sigurta, është zvogëluar tashmë në 19, nga 22 që ishin më parë. Nga lista janë përjashtuar Kameruni, Kolumbia dhe Nigeria.

    Vendimi u mor pasi gjykata në Romë rrëzoi masën e ndalimit për 12 emigrantët e parë të dërguar në qendrën e pritjes së emigrantëve në Shqipëri. Gjykata vendosi se vendet e tyre të origjinës, Bangladeshi dhe Egjipi, nuk ishin vende të sigurta për rikthimin e tyre. Pas vendimit të gjykatës, emigrantët u rikthyen në Itali, ku mund të riaplikojnë për azil.

    Qeveria vendosi ta bëjë ndryshimin me një akt ligjor, në vend të një vendimi të qeverisë, duke e bërë kështu më të vështirë bllokimin e tij në gjykatë.

    “Ligji është në përputhje me vendimet e Gjykatës Evropiane të Drejtësisë. Hoqëm pra nga lista origjinale tre vende, të cilat gjatë vlerësimit rezultuan se në pjesë të territorit të tyre ka probleme që nuk na lejojnë t’i konsiderojmë plotësisht të sigurta”, tha ministri i Brendshëm italian, Matteo Piantedosi.

    Vendimi i gjykatës së Romës u motivua në veçanti nga një vendim i marrë rishtazi nga Gjykata Evropiane e Drejtësisë, e cila vendosi se një vend mund të konsiderohet i sigurt për rikthimin e emigrantëve, vetëm nëse i gjithë territori i atij vendi është i sigurt.

    Bllokimi nga gjykatat italiane u bë pengesa e parë ligjore për marrëveshjen pesëvjeçare mes Shqipërisë dhe Italisë për strehimin e përkohshëm të rreth 3 mijë emigrantëve në muaj, që kapen në det nga roja bregdetare italiane.

    Kryeministrja italiane Giorgia Meloni e ka mbrojtur marrëveshjen e arritur me Shqipërinë, si një “model” të mënyrës së trajtimit të emigrantëve të paligjshëm dhe ndryshimi i ri ligjor përpiqet të ruajë këtë imazh.

    “Mbërritëm në këtë pikë, pasi gjithçka e pati origjinën nga një vendim i Gjykatës Evropiane të Drejtësisë, që është shumë kompleks dhe shumë i mirë-artikuluar dhe ndoshta nuk u kuptua dhe u lexua siç duhet”, tha ministri i Drejtësisë, Carlo Nordio.

    Organizatat e të drejtave të njeriut dhe grupet e aktivistëve në Mesdhe e kanë kritikuar marrëveshjen Itali-Shqipëri, si një precedent i rrezikshëm që shkel ligjet ndërkombëtare. Disa ekspertë ligjorë gjithashtu vënë në dukje se as ndryshimet më të fundit të qeverisë italiane nuk do të jenë në gjendje t’u ofrojnë zgjidhje për konfliktet e ardhshme ligjore, pasi vendimet e BE-së mbizotërojnë ndaj ligjeve të vendeve anëtare./VOA

     

    Nga Rubrika
    Bota/Rajoni16 Janar 2025
    Pam Bondi, e emëruara e Presidentit të zgjedhur Donald Trump për postin e Prokurores së Përgjithshme të Shteteve të Bashkuara, u përpoq...
    Bota/Rajoni15 Janar 2025
    Mediat ndërkombëtare kanë raportuar se Izraeli dhe Hamasi, kanë arritur marrëveshje armëpushimi, pas konfliktit 15 muajsh me dhjetëra mijëra viktima që tronditi...
    Bota/Rajoni15 Janar 2025
    Një avion stërvitor i sigurisë iraniane është rrëzuar në pjesën veriore të vendit dhe për pasojë tre persona humbën jetën. Ngjarja ndodhi...
    Të tjera
    Lajme16 Janar 2025
    Studentët në Serbi u distancuan nga organizatat ekstremiste, që u shfaqën në një protestë para Gjykatës Kushtetuese në Beograd, në fund të...
    Zgjedhjet 202516 Janar 2025
    Kandidati për Kryeministër i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, sot do të jetë për vizitë në Drenas, kurse tubimin qendror të...
    Lajme16 Janar 2025
    Sot mbushen shtatë vjet nga vrasja ende e pazbardhur e politikanit serb Oliver Ivanoviq me gjashtë të shtëna në shpinë, para objektit...
    Lajme16 Janar 2025
    Për vite të tëra themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, ka qenë temë diskutimi si në Kuvendin e Kosovës, ashtu...
    Lajme16 Janar 2025
    Sot parashikohet mot i vranët, por me intervale të shkurtra me diell. Në mëngjes do të ketë kushte për mjegull dhe ngrica,...
    Vip15 Janar 2025
    Banorët fitues të sfidës nga “Retro House”, kanë shijuar darkën e shijshme nga menyja e tyre. Xuxi, Xheneta, Driloni dhe Vullneti derisa...

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.