Policia italiane e ka konfiskuar një sasi prej 14 tonëve të substancës narkotike ampetaminë, që dyshohet se është prodhuar nga ISIS-i në Siri.
Zyrtarët i kontrolluan tre kontenierë të dyshimtë në portin Salerno, në pjesën jugperëndimore të Italisë, dhe i gjetën 84 milionë pilula që në treg e kanë vlerën e 1 miliard eurove. Sasia e madhe e drogës u gjet e fshehur në cilidra të letrës, të cilët përdoren në industri.
Hetuesit thanë se kjo është sasia më e madhe e drogës që është konfiskuar ndokund në botë. Në paketime të drogës ishte e vendosur logoja “Captagon”, që në vendet e konfliktit në Lindje të Mesme njihet si “droga e Xhihadit”.
“Është e ditur se ISIS-i i financon aktivitetet e veta terroriste në pjesë të madhe nga trafikimi i drogave sintetike të prodhura kryesisht në Siri, e cila është bërë prodhuesja kryesore në botë e amfetaminës viteve të fundit”, tha policia italiane.
Në deklaratën e autoriteteve italiane thuhet se hetimi dhe konfiskimi i drogës erdhi pas një vendimi të prokurorit publik të Napolit. Besohet se kjo sasi e drogës ishte planifikuar të shpërndahej në Evropë nga grupet e ndryshme kriminale.