Policia në Ferizaj ka arrestuar një 27 vjeçar i cili ishte në kërkim për vrasje në tentativë dhe i dënuar me 18 muaj burgim.
I dyshuari është kapur mbrëmë rreth orës 22:00 në Ferizaj.
“Me datën 06.04.2024 rreth orës 22:00 policët e Njësisë së Reagimit të Shpejtë (NJRSH), në Ferizaj kanë arrestuar personin e kërkuar G.L ( M/K) i moshës 27 vjeçar. Ai ishte i kërkuar në bazë të urdhëresës së Gjykatës Themelore në Ferizaj për veprën penale: ‘‘ Vrasje e mbetur në tentativë” me dënim burgimi prej tetëmbëdhjetë (18) muajve dhe pas kompletimit të dokumentacionit është dërguar në vuajtje të dënimit”, thuhet në njoftim.
Policia e Ferizajt i ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin, ndërsa i ka inkurajuar edhe të tjerët që të bashkëpunojnë me organet e rendit.
“Saherë që kanë informacione për personat e kërkuar nga organet e rendit, të njoftojnë menjëherë stacionin e policisë më të afërt, apo përmes aplikacionit digjital ‘’Lajmëro Policinë ‘’ dhe në numrat kujdestarë : 192 ,0290/326-250 & 0290/322-406”, ka bërë thirrje Policia, duke shtuar se të dhënat e denoncuesve “do të ruhen në konfidencialitet të plotë”.