Ish-zëvendësministri i Arsimit, Xhavit Rexhaj, ka vlerësuar se testi për licencën e avancuar të mësimdhënësve, i zhvilluar nga Ministria e Arsimit, është ende një proces pilot dhe ka nevojë për përmirësime. Sipas tij, edhe mësimdhënësit që morën pjesë në test dhe Ministria nuk ishin plotësisht të përgatitur për testimin dhe nivelin e vështirësisë së pyetjeve. Rezultatet e ulëta të arritura nga pjesëmarrësit, sipas Rexhajt, tregojnë për mungesë të informacionit dhe përgatitjes së mjaftueshme, si nga ana e mësimdhënësve ashtu edhe nga Ministria.
‘’Mendoj se mësimdhënësit nuk e kane dite mire se çfarë te presin, por njëkohësisht mendoj se ata nuk janë përgatitur si e sa duhet për test. Pos kësaj mendoj se as hartuesit e testit nuk kane dite tamam se ku ta vendosin shkallen e vështirësisë se pyetjeve. Mbase do te ishte mire qe Ministria ta kishte bere testin me një grup provues (qe edhe mund ta ketë bere – por unë nuk jam i informuar për ketë). Rezultatet e ulëta po tregojnë për mungese informimi te mirëfillte, mungese pilotimi, por edhe mungese te përgatitjes se duhur nga ana e mësimdhënësve’’, tha Rexhaj për FrontOnline.
Rexhaj ka theksuar se ky test mund të shërbejë për të vendosur një standard për cilësinë e mësimdhënësve që duan të kalojnë në nivelin e avancuar, por ka paralajmëruar se nuk duhet të ketë lëshime në kriteret e provimit. Ai ka shpjeguar se ulja e kritereve për të lehtësuar kalimin e provimit mund të çojë në devalvimin e procesit dhe të krijojë një standard të ulët. Në këtë kontekst, ai ka paralajmëruar se një rënie e standardeve të testit mund të ketë pasoja të ngjashme me ato që ndodhin me testet e maturës dhe arritshmërisë, të cilat kalohen me lehtësi, por nuk arrijnë rezultate të mira në testet ndërkombëtare.
‘’Ajo qe kurrsesi nuk duhet te ndodhe është qe tash ministria t’i ule kriteret përtej vlerësimit objektiv te pilotit dhe ky test i licencës se avancuar te devalvohet sikurse testi i maturës dhe testi i arritshmërisë. Siç e dimë këto dy teste tona kalohen mesatarisht ne mase te madhe por ne teste ndërkombëtare thjeshte ngelim – nota jone del me pak se njësh! Pra mos te lëshohen kriteret’’!, deklaroi ish-zëvendës ministri.
Rexhaj ka shtuar se ky test, megjithatë, nuk mund të reformojë menjëherë sistemin arsimor, pasi rezultatet e provimit janë ende të kufizuara. Sipas tij, ky proces mund të vendosë një standard të kërkesave që duhet të arrijnë mësimdhënësit për të avancuar në nivelin e avancuar dhe për të përfituar ngritje të pagës. Ai ka theksuar gjithashtu se ky test është një mundësi për të nxitur mësimdhënësit që të angazhohen më shumë në zhvillimin profesional dhe të përmirësojnë cilësinë e mësimdhënies në shkolla.
‘’Ky test vetvetiu nuk mund te reformoje cilësinë ne arsim – 55 mësimdhënës janë pak për te ndodhur reforma përmes tyre. Por, ky test mund te vendosë një standard se ku duhet te ngritën mësimdhënësit për t’u bere mësimdhënës te avancuar. Domethënë, ky test mund te shërbeje për te bindur mësimdhënësit se nuk bene te vazhdohet me improvizime – pro kërkohet pune e madhe për tu bere mësimdhënës i avancuar’’, përfundoi Rexhaj