Lidhja Demokratike e Kosovës, do të mbajë sot takim mes kryesisë së ngushtë të partisë, për të vendosur se a do të hyjnë në koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës.
Burime të GazetësBlic, kanë bërë të ditur se Isa Mustafa, do të takohet gjatë ditës me kryesinë e ngushtë të partisë së tij dhe tema e vetme e diskutimit, do të jetë futja apo jo e Partisë Demokratike të Kosovës, në Qeverinë Hoti.
Diskutimi që pritet të bëhet për këtë çështje, është ndarja e pozitave mes tyre dhe partisë së Kadri Veselit dhe mundësia eventuale që AAK-ja e Ramush Haradinajt të përjashtohet nga koalicioni.
Nëse merret vendimi brenda LDK-së, për hyrje në koalicion me PDK-në, kjo e fundit pritet të marrë postin e presidentit, teksa do i jepen edhe disa ministri.“Isa Mustafa do të takohet sot me kryesinë e ngushtë të LDK-së, për të vendosur se a do të hyjnë në koalicion me PDK-në apo jo. Sipas gjitha gjasave, ekziston mundësia reale që vendimi të jetë pro futjes së PDK-së në qeveri, ku sipas gjitha gjasave, përveç disa ministrive, do e merr edhe postin e presidentit”.
GazetaBlic, ka tentuar të vë kontakt me disa nga krerët më të lartë të LDK-së, për të marrë përgjigje zyrtare nga ana e tyre, por që të njëjtit nuk janë përgjigjur.Ditë më parë, kryetari i Lidhjes Demokratike, Isa Mustafa, konfirmoi se i kanë hequr vijat e kuqe për Partinë Demokratike të Kosovës.
Madje, Mustafa u shpreh se në aktualitetin politik, është e domosdoshme zgjerimi i koalicionit qeverisës, për shkak se sipas tij, Kosovën e presin tema të mëdha.Gjithashtu, Mustafa ka theksuar se përfundimi i mandatit të presidentit aktual, Hashim Thaçi, dhe zgjedhja e presidentit të ri, që mund të bëhet në muajin mars, do të jetë sfidë e papërballueshme për koalicionin aktual, pasi që nuk i posedojnë votat për ta bërë një gjë të tillë.