×
  • Lajme
  • Lajme

    Isa Mustafa: Jemi të hapur për ta diskutuar postin e presidentit me PDK’në

    FrontOnline
    21 Nëntor 2020

    Kryetari i LDK’së, Isa Mustafa, ka folur përsëri për zgjerimin e mundshëm të koalicionit, për të cilën thuhet se në të mund të futet edhe PDK’ja. Mustafa ka thënë se LDK’ja është e hapur për ta diskutuar çështjen e postit të presidentit.

    Shefi i LDK-së ka folur për përplasjet mes deputetëve të LDK e LVV-së në seancën e Kuvendit të Kosovës, për mos kalimin e projektligjit për rimëkëmbje ekonomike, për përfshirjen e mundshme të PDK-së në Qeveri, për marrëdhëniet me AAK-në si partner koalicioni dhe çështjen e presidentit të ri që duhet të zgjidhet në afatin kushtetues.

    Mustafa në këtë intervistë ka thënë se Kuvendi është bërë jofunksional dhe sipas tij më së paku po i përngjan organit ligjvënës e shumë më tepër një teatri me shfaqje të këqija për publikun.

    Pyetje: z. Mustafa, si i vlerësoni përplasjet e fundit ndërmjet deputetëve të LDK-së e LVV-së në seancën e Kuvendit të Kosovës?

    Isa Mustafa: Kuvendi është bërë jofunksional. Ai më së paku po i përngjan organit ligjvënës e shumë më tepër një teatri me shfaqje të këqija për publikun. LVV është tepër agresive dhe me këto sjellje paraqet rrezik permanent për skena të dhunës. Po shërbehet me gjuhë ofenduese dhe provokuese, si ndaj Kryeministrit ashtu edhe ndaj deputetëve të LDK-së. Është e papranueshme që të merren shkas të pagjetur për përplasje dhe përfitime politike.

    Pyetje: A jeni penduar apo keni bërë mirë për prishjen e koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje?

    Isa Mustafa: Edhe ky diskurs i LVV flet se kemi bërë mirë, bile tepër mirë. Ishte një koalicion, në të cilin VV pasi kishte bërë për vete pak figura të LDK-së, kishte pretendime ta poshtërojë LDK-në. Këtë nuk ia lejuam.

    Pyetje: z. Mustafa, opozita LVV e PDK po e kritikon qeverinë Hoti për mos kalimin e projektligjit për rimëkëmbje ekonomike, pse nuk po kalon ky ligj kaq rëndësishëm?

    Isa Mustafa: Përgjegjësia themelore është te pozita, pastaj te opozita. Pozita lypset ti sigurojë 61 vota, të cilat mund ti sigurojë nëse koordinohet mirë, ashtu si bëri në leximin e parë. Opozita po gabon që po bënë opozitarizëm më një çështje jetike, me mbijetesën ekonomike dhe jetën sociale. Nuk bëhet opozitarizëm me shkatërrim të ekonomisë, me shuarje të vendeve të punës dhe me fukarallëk. Askujt nuk nevojitet të fitojë zgjedhjet nëse i ka kontribuar rrënimit të ekonomisë.

    Pyetje: Pas rrethanave të reja dhe dorëheqjes së ish Presidentit Hashim Thaçi, tash kemi një moment të ri- a do të ketë marrëveshje politike për postin e presidentit?

    Isa Mustafa: Një marrëveshje e subjekteve politike duhet të arrihet, tani ose pas zgjedhjeve. Nuk ka vota për President pa një marrëveshje, sepse asnjë parti parlamentare dhe asnjë koalicion nuk ka dhe nuk do të ketë vota të mjaftueshme për të përmbushur procedurat e zgjedhjes së Presidentit. Vlerësoj se është më mirë të bëjmë një marrëveshje të mirë tani, sesa të futemi në një cikël i cili, pas zgjedhjeve, na sjell në të njëjtin vend.

    Pyetje: z. Mustafa, në publik po diskutohet një mundësi e zgjerimit të koalicionit qeveritar edhe me PDK-në, a keni mbajtur ndonjë takim së fundi me krerët e kësaj partie?

    “Takime nuk kemi mbajtur. Jemi të hapur që ta diskutojmë edhe këtë mundësi si pjesë e pakos për marrëveshje për zgjedhje të Presidentit”, ka thënë Mustafa për Telegrafin.

    Pyetje: z. Mustafa, kryetari i AAK-së ka deklaruar se kjo parti insiston në postin e presidentit – a ka pajtim mes jush për këtë temë?

    Isa Mustafa: Në javët në vijim do të iniciojmë një tryezë të partive parlamentare, nga e cila do të dilnin përcaktimet për parimet, kriteret dhe kandidatët e mundshëm për këtë pozitë. Pas kësaj do të deklarohemi për vullnetin politik të LDK-së për ndonjë kandidat apo për zgjedhje të reja.

    Pyetje: A ka mospajtime mes partnerëve në qeveri sot?

    Isa Mustafa: Ka pasur mospajtime për procesin e dialogut, qoftë për atë në Bruksel apo në Uashington, por vlerësoj se janë përafruar. Vazhdon të ketë, në disa raste, sjellje të disa ministrave që nuk përkojnë me rolin e tyre si anëtarë të qeverisë.

    Pyetje: z. Mustafa, ju personalisht a jeni të interesuar për postin e presidentit apo ka ndonjë propozim tjetër nga LDK?

    Isa Mustafa: Në këtë mandat, LDK e ka Kryeministrin e vendit. Nuk pretendojmë edhe pozitën e Presidentit. Nëse shkojmë në zgjedhje, çdo opsion mbetet i hapur.

    Pyetje: z. Mustafa, a është LDK pro zgjedhjeve të reja parlamentare?

    Isa Mustafa: – E vlerësojmë se zgjedhjet në këtë situatë pandemie nuk do duhej të mbahen. Por, në qoftë se nuk pajtohemi për Presidentin, do të pajtohemi për zgjedhje.

    Auto Mita me një mundësi të mirë për bizneset – për çdo veturë të re, SERVISI FALAS deri në 100…
    Nga Rubrika
    Lajme25 Prill 2024
    Një këmbësore ka pësuar lëndime trupore pasi u godit nga një veturë. Rasti ka ndodhur gjatë ditës në Gjakovë. Një person e...
    Lajme25 Prill 2024
    “Korrupsion serioz qeveritar”, është referimi që një raport i Departamentit të Shtetit e ka përshkruar nivelin e korrupsionit ku përfshihet ekzekutivi. Opozita...
    Lajme25 Prill 2024
    Për të premten parashikohet të mbajë mot me diell dhe vranësira, ndërsa lokalisht priten reshje të pakta shiu. Era do fryjë drejtimesh...
    Të tjera
    Lajme25 Prill 2024
    I Dërguari i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka treguar se në takimin e sotëm të ekipeve negociatore ka prezantuar...
    Bota/Rajoni25 Prill 2024
    Presidenti Joe Biden dhe udhëheqësit e 17 vendeve të tjera, që kanë shtetas të tyre që mbahen peng nga Hamasi, po kërkojnë...
    Vip25 Prill 2024
    Analisti Astrit Gashi i ka dhënë fund beqarisë. Ai ka kurorëzuar dashurinë me fejesë me gazetaren Alba Merovci. Lajmin e bëri të...
    Lajme25 Prill 2024
    Nesër pritet të mbahet seanca e parë në Kuvendin Komunal të Zubin Potokut, ku do të marrë pjesë edhe kryetari i kësaj...
    Sport25 Prill 2024
    Minutat e mbetur mes Udineses dhe Romës, u zhvilluan pas 11 ditësh, ku u shënua një gol dhe ndeshje u mbyll 2-1...
    Bota/Rajoni25 Prill 2024
    Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ishte këtë të enjte i ftuar në një intervistë për Euronews Albania, ku  tha se demokratët...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.