×
  • Opinione
  • Opinione

    Ikja nga vendlindja

    Shkëlzen Halimi
    02 Janar 2024

    Shkruan: Shkëlzen Halimi

    Ikja nga vendlindja (Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, për dallim nga ata të Shqipërisë dhe deri diku të Kosovës, konceptin e atdheut, për shkak të mungesës, e kanë të zëvendësuar me konceptin e vendlindjes) është një proces i dhembshëm që edhe në të kaluarën ka shkaktuar vetëm tragjedi.

    Liria në kuptimin e gjerë të fjalës, është një nocion që ka më shumë interpretime. Një pjese të madhe të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut iu mungon edhe liria shpirtërore, një gjendje psikike kjo që rëndë e më rëndë i përballon sfidat e politikës përçmuese. Prandaj, nëse asgjë, ata që ikin larg vendlindjes së tyre, së paku kanë lirinë shpirtërore dhe shpresën se do të mund të bëhen zot të vetvetes. Nuk është vështirë të përshkruhet portreti shpirtëror i të riut tonë, që ka vetëm një shtegdalje: të marrë një biletë njëdrejtimëshe, duke lënë pas ëndrrat që s’u realizuan. Atij i “ka plasur filmi”, sepse më nuk sheh as minimumin e perspektivës në truallin e vet. Ai përfundimisht humb betejën me “krimbin” e ndarjes fatale: NE dhe ATA.

    Të lodhur, shpesh edhe të mërzitur, kot përpiqen ta mundin këtë të keqe. E dinë se që moti janë përmbysur vlerat dhe se është një komunitet që “vlerësohet” vetëm për ndonjë qëllim të caktuar. Përçudnimet e këtilla tregojnë qartë se më nuk ka vlerë as përgatitja superiore, sepse për fatin e tyre herë – herë vendosin ata që kanë kryer vetëm filloren.

    Duke qenë përballë një realiteti që përshkohet me injorancë dhe me lajthitje të shumta, është e pamundur të merret roli i përhershëm i një vrojtuesi të fenomeneve bizare që janë bërë përditshmëri e shoqërisë shqiptare në Maqedoni. Ata e dinë se kronika e zymtë shqiptare është një histori e trillimeve dhe histori e premtimeve që asnjëherë nuk realizohen, por edhe histori e papërgjegjësisë.

    Kjo pasqyrë e shëmtuar është reminishencë e një realiteti, të cilën shoqëria shqiptare nuk e ka ndërmend ta ndryshojë, edhe përkundër faktit se bëhet fjalë për zbehjen e substancës kombëtare. Ka kohë që atyre u janë shuar edhe iluzionet për ta siguruar mirëqenien përmes bindjes (skandaloze) se shpëtimi i tyre është vetëm punësimi në administratën shtetërore, një bindje kjo fatale, edhe përkundër faktit se porta e përfaqësimit adekuat ende nuk është mbyllur.

    Në kontekst të kësaj do theksuar se askush deri më tani nuk e ka shtruar përfaqësimin adekuat në kompanitë e mëdha private, të cilat inkasojnë para të shumta edhe nga shqiptarët. Nëse kjo çështje shqyrtohet me seriozitetin më të madhe, atëherë fare lehtë do të mund të hapeshin edhe disa mijëra vende të reja për të rinjtë shqiptarë. Kjo, sado pak do të krijonte një atmosferë më optimiste për të pasur një rini kreative (në kompanitë private) dhe jo të burokratizuar (në administratën shtetërore).

    Në psikologjinë e shqiptarit, braktisja e pragut të shtëpisë ka kuptimin e tragjikes. Ndërkaq, ka diçka që vepron mbi vullnetin e tyre, që bën trysni të padurueshme që t’ia kthejnë shpinën shtëpisë dhe vendlindjes. Dhe kjo do të thotë: investim i kotë për përgatitjen superiore, sakrificë që shkoi huq… Tendenca e ikjes së trurit është një tendencë e kamotshme, për të cilën pothuaj askush nuk shpreh shqetësim. Ngushtimi i hapësirës vetëm për të dëgjueshmit, ka krijuar një armatë të atyre që kanë humbur shpresat.

    Është çështje tjetër fakti se me vetëdije dikush investon për largimin e gjakut të ri dhe të freskët. Por, duhet të dihet: askush nuk e lë familjen, shtëpinë dhe vendlindjen për pikën e qejfit.

    Janë me mijëra të rinj të dëshpëruar, që kanë dhimbje shpirtërore…Dhe kur ikin, këtë e bëjnë në heshtje, pa u vërejtur…

    Nga Rubrika
    Opinione09 Janar 2025
    Shkruan: Christiaan Alting Von Geusau Duket se arritja legjislative më e spikatur e Bashkimit Europian në vitin 2024 ka qenë detyrimi që...
    Opinione08 Janar 2025
    Kushtëzimi i certifikimit të Listës Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet dhe institucionet e Kosovës me njohjen e shtetit, simboleve dhe dokumenteve të...
    Opinione07 Janar 2025
    Nga Adri Nurellari  Vendimi për të ndaluar “TikTok”-un në Shqipëri është një shfaqje e ludite e ngutshme dhe e cekët, që shmang...
    Të tjera
    Lajme10 Janar 2025
    Kandidatja për deputete nga radhët e LDK’së, Sibel Halimi ka komentuar bojkotimin e disa mediave nga Vetëvendosje. Halimi përmes një shkrimi në...
    Lajme10 Janar 2025
    Moti gjatë kësaj fundjave në Kosovë pritet të jetë i vranët e me reshje bore. Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, temperaturat do...
    Vip10 Janar 2025
    Sot, me nisjen e spektaklit të Big Brother VIP Kosova, një nga temat më të diskutuara ishte pa dyshim Gjesti, i cili...
    Vip10 Janar 2025
    Opinionisti Milaim Zeka, ka hedhur dyshime sot në ‘Prime’ se Driloni dhe ish banorja Lela, janë njohur nga jashtë. “Për secili prej...
    Lajme10 Janar 2025
    Zyrtarët policorë në koordinim me Prokurorinë Themelore në Ferizaj, në zbatim të një plani operativ, kanë kryer kontrolle në një shtëpi dhe...
    Lajme10 Janar 2025
    Në Selinë e NATO-s, nën drejtimin e ShBA-së, u mbajt takimi i 15-të i radhës/konferenca e drejtorëve të armatimeve kombëtare, në kuadër...

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.