Ekonomia gjermane pritet të rritet në gjysmën e mbetur të vitit 2020, pas rënies në recesion që pësoi ekonomia më e madhe e Europës për shkak të COVID-19, njoftoi sot instituti kërkimor IFO.
“Prodhimi ekonomik i Gjermanisë u tkurr me 2,2 % në tremujorin e parë dhe me 11,9 % në të dytin”, thanë analistë, ndërsa parashikuan një rritje prej 6,9 % dhe 3,8 % përkatësisht në tremujorin e tretë dhe të katërt.
Megjithatë, sipas analistëve, kjo gjë varet nga zhvillimi i mëtejshëm i epidemisë dhe përgjigjet politike ndaj saj, të cilat shoqërohen me një shkallë të lartë pasigurie.
IFO parashikon që ekonomia gjermane të bjerë me 6,7 % këtë vit, përpara se të rritet me 6,4 % deri në vitin 2021, duke e rikthyer prodhimin ekonomik sërish në nivelet e vëzhguara në fund të vitit 2019.