Qeveria në detyrë e Kosovës sot ka emëruar Irfan Lipovicën drejtor të përgjithshëm në Drejtorinë e Akreditimit të Kosovës, i cili ishte arrestuar për rastin e njohur si rezervat shtetërore.
Propozim-vendimin për emërimin e tij e bëri ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.
“Akreditimi si proces me rëndësi të lartë për ekonominë vërteton cilësinë dhe besueshmërinë e institucioneve dhe bizneseve pasi që përmes këtij procesi vlerësohet përputhshmëria e produkteve dhe proceseve e shërbimeve me standarde ndërkombëtare e vendore duke garantuar kështu që të ofrojë nivel të lartë të cilësisë”, tha ajo në mbledhjen e sotme të qeverisë.
Hajdari tha se procesi i përzgjedhjes së tij është zhvilluar në mbështetje të Ligjit për Zyrtarët Publikë dhe në rregulloren e Qeverisë.
“Komisioni Vlerësues pas zhvillimet të të gjitha fazave dhe procedurës rekrutuese ka hartuar raportin e përzgjedhjes së kandidatit për pozitën drejtor i përgjithshëm në Drejtorinë e Përgjithshme të Akredimit të Kosovës. Andaj bazuar në raportin e lartpërmendur, ju propozoj që në këtë mbledhje të qeverisë të miratoni propozim-vendimit për emërimin e z.Irfan Lipovica”.
Irfan Lipovica ishte arrestuar bashkë biznesmenin Ridvan Muharremi dhe zyrtarin tjetër të MINT, Hafiz Gara.
Lipovica u arrestua nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Ai ishte liruar nga masa e paraburgimit me një vendim të Gjykatës së Apelit në gusht të 2023-ës./Express/