×
  • Opinione
  • Opinione

    Hyxhym në valle të mujsharëve

    FrontOnline
    01 Shkurt 2022

    Miku im Gjon Marku e ka bërë filmin e parë të animuar në Kosovë. Titullohet “TV Dur”. Është realizuar më 1982. Në të flitet për një muzikant – për një daullist roker – që urrehet nga fqinjët për të cilët ai është thjesht një zhurmaxhi. Njeri kot. Hipik i keq. Por, kur e shohin në televizion, e ndërrojnë mendimin për të. Filmi i Gjonit është realizuar para se Talking Heads me “Television Man” (1985) ta trajtonte famën shpeshherë të rrejshme që imponon televizioni. Siç ishte i rrejshëm perceptimi për personazhin kryesor të “TV Dur”-it: i urryer dhe i respektuar, pa ditur asgjë më shumë për këtë “zhurmaxhi” apo për këtë njeri “të famshëm”!

    Nuk ishte e pazakontë që dikur, nga më të moshuarit, me hipikët nënkuptohej devijimi, degjenerimi e narkomania (edhe pse s’e dinin çfarë është droga, meqë mendonin se konsumohet me shishe). Fatmirësisht, paragjykimet për individë apo shtresa të caktuara dikur ishin veç llafe rruge, që nuk gjenin vend në medie. Dikur ka pasur kritere vlerash dhe nuk ka pasur gjasa që të jepeshin përkufizimet si te libri “Edukata qytetare” për klasën e dhjetë, ku muzika rok cilësohet si akt jo i mirë, i dëshmuar plotësisht si kriminal! Akt kriminal, paçka që Bill Clinton dhe Tony Blair ishin mbështetës të kundërkulturës të lëvizjes hipi, pastaj Steve Jobes dhe Steve Wozniak, Ken Kesey, Neal Cassady, Del Close … e madje pediatri “plak” Benjamin Spock dhe Steward Brand (ideologu i internetit).

    Synimi i hipikëve ishte që të barazohet individi me institucion por, fatkeqësisht, gjërat dështojnë kur ky synim proklamohet nga të padijshmit, siç ndodhi edhe me filozofinë e Karl Marxit. Prandaj, rrjetet sociale janë shndërruar në Ministri të Vërtetës e shumica e pjesëmarrësve në pjesëtarë të Policisë së Mendimit. Në këtë situatë oruelliane, mund të jesh i dashur e i urryer brenda dite, si personazhi i Gjon Markut.

    Kështu, një profesor i Biologjisë, me karrierë disavjeçare në arsim, papritmas bëhet i famshëm e “i vlerësuar” kur në rrjetin “TikTok” publikon video duke vallëzuar. S’ka asgjë të keqe këtu. Vallëzimi nuk është krim. Në shtëpi apo në ahengje. Nga një profesor apo nga një nxënës. Por, problemi nis kur mësyjnë mediet për ta paraqitur si “profa i TikTok”-ut, si sensacion medatik, me pyetje që shkojnë përtej profesionit të tij si biolog e pasionit për vallëzim. Sepse, për turmat biologjia nuk ka rëndësi; as biseda më serioze rreth vallëzimit. Kështu, fama i ra për koke edhe profës, të besojë se tash gjithçka është e mundshme për të; të besojë se rrjetet sociale janë portale drejt çfarëdo aspirate, për çka shprehet se me siguri “rolin e James Bondit e kisha lue” (sic.)! Si Pierce Brosnani!?

    Gjërat ndryshojnë kur nga Ministria e së Vërtetës doli një Police e Mendimit – deputete – që e heretizoi “profën e TikTok”-ut, duke shkruar se “profesori i tillë nuk mund të arsimoj dhe edukoj kategorinë më të çmueshme të shoqërisë, rininë tonë” (sic.). Ka shkruar në vetën e parë por, mediet, si Muça pas daive, i dhanë hapësirë pa u munduar së paku të marrin një deklaratë se ku e mbështeti ajo atë mendim? Apo për ta pyetur nëse fjalinë e parë – “Nëse do të mbjellësh për një vit, mbill misër e grurë. Nëse kërkon të mbjellësh përgjithmonë, mbill arsim e kulturë” – e ka thënë Naim Frashëri apo Sami Frashëri? Ku e ka lexuar atë thënie? Apo, cili është roli i saj për arsim dhe kulturë? Pa e lodhur kush mendjen, komenti i saj merr mbi 1 700 pëlqime e mbi 100 shpërndarje.

    Kështu nisi mujsharja (bulizmi) ndaj “profës së TikTok”-ut. Profës fama iu kthye si bumerang – me fyerje nga turmat, madje nga familjarët. Askush nuk e lodhi kokën për këtë, derisa nuk qau në një televizion kombëtar. Atëherë, turmat papritur u bënë empatike. Dhe profa, pas famës dhe urrejtjes, u mëshirua. Portretizohet si gjynah, thuajse po i bëjnë nder. Gjithçka në një histeri masive, si sfida #profachallenge – tash mujsharja ndaj deputetes, Polices së Mendimit. Si Muça pas daive.

    Profa tash është i lënduar. Lotët e tij nuk do të harrohen. Është vonë të mbrohet. Është viktimë e lajmeve, e manisë pas valles së tij, valles së deputetes dhe valles së mujsharëve. Prandaj, është mirë të jepet një citat tjetër i Sami Frashërit nga vepra: “Shqipëria ç’ka qënë, ç’është e ç’do të bëhetë? (Mendime për shpëtimt të mëmëdheut nga reziket që e kanë rethuarë)”: “Të mos na mbulonjë gjum’ i mefshtërisë e i paditurisë, se, në ndënjçimë kështu, jemi të humburë” (sic.).

    Nga Rubrika
    Opinione03 Janar 2025
    Nga Richard Kemp: Ndërsa viti 2025 ka filluar, pesimizmi për fatin e Ukrainës rri pezull në ajër, ndërsa kutërbimi i paqësimit ndihet...
    Opinione02 Janar 2025
    Ekipi i sapozgjedhur i BE në Bruksel në 2024 ka shumë për të bërë. Si mund të arrihet kjo pa një tandem...
    Opinione01 Janar 2025
    Shkruan: Blerim Shala Viti 2025, i cili tashmë i ka hapur portat për të gjithë ne, do të jetë politikisht një vit...
    Të tjera
    Lajme04 Janar 2025
    Në pikat kufitare në dalje të Kosovës këtë të shtune kanë filluar kolonat. Qendra Kombëtare për Menaxhimin Kufitar ka bërë të ditur...
    Lajme04 Janar 2025
    Në Kosovë të shtunën parashihet të mbajë mot kryesisht i vranët dhe vende-vende me kushte për riga shiu dhe reshje bore. Temperaturat...
    Bota/Rajoni04 Janar 2025
    Me valën e fundit të aksidenteve ajrore, udhëtarët mund të ndihen më pak të sigurt. Por a po bëhet vërtet i pasigurt...
    Vip03 Janar 2025
    Drenushës i ka ardhur si surprizë nëna e saj, ndërsa përcolli emocione të papara deri më tani brenda shtëpisë më të famshme...
    Vip03 Janar 2025
    Drenusha ka folur për fazën e depresionit të cilën e ka përjetuar pas ndarjes nga ish bashkëshorti, Atilla. Krejt kjo sipas saj,...
    Lajme03 Janar 2025
    Kandidati për deputet në Kuvendin e Kosovës, nga radhët e PDK-së, Ilir Tahiri ka njoftuar se ka vizituar sonte Reçakun. Tahiri thotë...

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.