×
  • Opinione
  • Opinione

    Humbja kot e dy viteve të plota

    Blerim Shala
    17 Shtator 2024

    Shkruan: Blerim Shala

    Kthim prapa për të ecur para.

    Me një fjali fare të shkurtër mund të përmblidhet paraqitja mediatike të premtën në mbrëmje (13 shtator) e Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vučić, e cila (konferencë për shtyp) në paralajmërimet e saj ofronte ‘dridhje tektonike’ në sigurinë e kësaj ane të Evropës (duke e deklaruar Kosovën si territor të okupuar), teksa në fund mori trajtën e një ligjërimi të rregullt të liderit serb për raportet Serbi – Kosovë dhe Serbi – Perëndim.

    Vučić pra para gazetarëve shtroi një sërë kërkesash, të cilat synojnë ta kthejnë gjendjen në Veriun e Kosovës aty ku ka qenë me 5 nëntor të vitit 2022 (gati para dy viteve), kur me vendimin e tij (dhe të askujt tjetër), politikanët, policët, gjykatësit, prokurorët, nëpunësit serbë që ishin integruar në institucionet lokale dhe qendrore të Kosovës, u larguan prej këtyre institucioneve.

    Nuk kishte gjë të rastësishme këtu.

    Në këtë mënyrë, Vučić bëri aktin e shkëputjes politike, juridike, policore të Veriut të Kosovës, pak kohë pasiqë Franca dhe Gjermania kishin lansuar nismën e tyre për t’i bindur Kosovën dhe Serbinë që të dakordohen për një Akord të përkohshëm, i cili do të luante rolin e një ’transportuesi’ drejt Marrëveshjes finale për normalizimin e marrëdhënieve midis dy shteteve.

    Kjo ishte përgjigjja e mirëfilltë e liderit serb ndaj kësaj iniciative.

    Skenari i Vučićit parashihte tensionimin e skajshëm të raporteve në mes të popullatës serbe të Veriut dhe pushtetit të Kosovës, bojkotimin e këtij pushteti, mospjesëmarrjen në zgjedhjet lokale në komunat e Mitrovicës së Veriut, Zubin Potokut, Zveçanit dhe Leposaviqit, për të arritur tek ai akti final i konfrontimit të armatosur me forcat policore kosovare.

    Kjo do të ndodhë me 24 shtator të vitit të kaluar, në Banjskë të komunës së Zveçanit.

    Pra, 5 nëntori i vitit 2022 ishte pikënisje për të mbërri tek 24 shtatori i vitit 2023.

    Sikur të sendërtohej Plani i Serbisë, vjeshta e vitit të kaluar, do ta gjente Veriun e Kosovës në fillet e para të ndarjes së pakthyeshme nga Kosova.

    Nuk do të kishte pra Banjskë, pa atë aktin e Presidentit të Serbisë që të ndodhë prishja e të gjitha lidhjeve të krijuara me mund, në mes të qytetarëve serbë dhe pushtetit të Kosovës, pas Marrëveshjes së Brukselit (2013), përmes të të cilave synohej integrimi i plotë i kësaj pjese të vendit.

    Vučić dhe pushteti i Serbisë dolën njënashëm nga Marrëveshja e Brukselit (e vitit 2013) në nëntorin e vitit 2022, teksa me këmbënguljen në këtë qëndrimin e tyre, ata, objektivisht, pamundësuan zbatimin e Marrëveshjes Themelore dhe të Aneksit të Ohrit.

    Përmbajtja e paraqitjes të Vučićit para mediave është një konfirmim shumë i vonuar i tij i dështimit të madh të kësaj politike që i ka lënë serbët e Veriut të Kosovës pa pushtet, pa polici, pa gjyqësi, dhe i ka shfrytëzuar ata për të krijuar rrethana për një konfontim të ri ushtarak në këto anë të Evropës.

    Vučić megjithatë, siç u pa në këtë konferencën për media të së premtës në mbrëmje, po sillet thuajse ai vet nuk ka kurrfarë përgjegjësie për këtë dështim të madh politik dhe të sigurisë të Beogradit, i cili bëri që gjendja në këtë pjesë të Kosovës të pësojë ndryshime të mëdha në dy vitet e fundit.

    Ai, për këtë shkak, tani dëshiron ta kthejë situatën në katër komunat veriore e cila ka qenë në fuqi deri me 5 nëntor të vitit 2022, por poashtu, synon t’i zhbëjë të gjitha zhvillimet në Veriun e Kosovës të cilat kanë ndodhur më pas, para se të gjithash në vijim të përgjigjeve legjitime të pushtetit të Kosovës ndaj vakumit politik dhe të sigurisë që u prodhua prej Vučićit.

    Diçka e tillë është e pamundur për shumë shkaqe, sepse rrjedhat politike nuk kthehen mbrapsht apo nuk zhbëhen, mësa që nuk mund të kthehet mbrapsht rrjedha e një lumi.

    Me gjasë, këtë e di edhe vet Presidenti i Serbisë. Por ai mendon që disi do të mund ta mjegullojë të vërtetën për dështimet e tij epokale në trajtimin e gjithë procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, si dhe të vërtetën për mashtrimet që ua ka bërë serbëve të Kosovës në përgjithësi.

    Nga Rubrika
    Opinione22 Nëntor 2024
    GJNP ka nxjerrë urdhër-arreste kundër kryeministrit të Izraelit Netanjahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes Gallant. Çfarë do të thotë kjo dhe çfarë pasojash...
    Opinione21 Nëntor 2024
    Nga Hisen Berisha: Kështu veprojnë tradhtarët e të shiturit tek armiqtë e vendit. Në një shtet të konsoliduar me sistem juridik të...
    Opinione20 Nëntor 2024
    Shkruan: Bekim Çollaku Fitorja e presidentit Donald Trump në zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) ka ndezur një debat...
    Të tjera
    Vip23 Nëntor 2024
    Gjatë mbrëmjes, banorja e shtëpisë më të madhe në vend, Xheneta i ka bërë një pyetje interesante Xuxit. “Pse e përshëndete babanë...
    Lajme23 Nëntor 2024
    Ushtarët e KFOR-it kanë ka zhvilluar një sërë aktivitetesh patrullimi dhe vëzhgimi në qytetin e Istogut. Përmes një njoftimi për media, KFOR...
    Lajme23 Nëntor 2024
    Deputetja nga Grupi multietnik njëherësh anëtare në Komisionin për Buxhet, Duda Balje ka konfirmuar se ka vonesa për subvencionimin e bizneseve nga...
    Bota/Rajoni23 Nëntor 2024
    Në Shqipëri, orët e vona të mbrëmjes u shoqëruan me stuhi dhe rrebeshe shiu, duke shkaktuar vërshime në rrugë dhe rrëshqitje masive...
    Lajme23 Nëntor 2024
    Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar pas raportimeve se Prokuroria Speciale ka filluar hetimet për 1...
    Bota/Rajoni23 Nëntor 2024
    Shefi i NATO-s, Mark Rutte, ka zhvilluar bisedime me presidentin e zgjedhur amerikan, Donald Trump në Florida për “çështje të sigurisë globale...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.