Për projektet e qeverisë së Serbisë që po realizohen në veri të Mitrovicës, kryeministri Avdullah Hoti ka thënë se në veriun e Kosovës ka kohë që janë bërë plot veprime pa qenë në përputhje me ligjet në fuqi të Kosovës.
Për projektin “Lugina e diellit” dhe të tjera në veri Mitrovicës, kryeministri Hoti tha se është i njohur për vështirësitë në zbatimin e ligjit plotësisht në atë pjesë të vendit, por shtoi se nuk do të lejojnë vazhdimisht në këtë mënyrë.
“Në veriun e Kosovës ka kohë që janë bërë plot veprime jo në përputhje me ligjet e Kosovës. Ne nuk kemi qasje tjetër përveç që të insistojmë në zbatim të ligjeve të Republikës së Kosovës. Kjo i bie që nuk ka dy standarde, ligji është një për të gjithë vendin. E di që kemi vështirësi në zbatimin e ligjit plotësisht në atë pjesë të vendit, por nuk do të heqim dorë asnjë herë dhe as nuk do të lejojmë që situata të shkojë ashtu”, tha Hoti.
Këto komente kryeministri Hoti i bëri gjatë inspektimit me ministrin e Infrastrukturës, Arban Abrashi, në rrugën nacionale Prishtinë-Mitrovicë në fshatin Gojbule.