×
  • Opinione
  • Opinione

    Historia që nuk merr fund

    Blerim Shala 
    16 Korrik 2024

    Shkruan: Blerim Shala 

    Nuk janë vranë gjashtë milion hebrejë. Është vra një hebre, gjashtë milionë herë.

    Në këtë mënyrë, Abel Herzberg, një i mbijetuar i kampeve të përqendrimit, ndryshe, hebre i Holandës, jurist dhe shkrimtar, e pati përshkruar Holokaustin.

    Është ky një interpretim që sfidon, natyrisht, statistikën, dhe dhimbjen për secilën viktimë të veçantë, por në thelb, shpjegimi i Herzberg-ut është i saktë.

    Të vrarët, secili prej tyre, ka pasur emër dhe mbiemër të posaçëm, histori të ndryshme të trungut familjar, profesione të nduarndaurta, afërsinë tjerërfare me ndonjë popull të Evropës, ku në masë të madhe, ata ishin të integruar tash e disa shekuj.

    Megjithatë, të gjithë ata ishin pjesë e një tërësie që i kishte rrënjët e njëjta, dhe që shfaqej në trajtë të atij hebreu imagjinar, të cilin e kishte ‘identifikuar’ dhe projektuar nazistët.
    Ky hebre imagjinar, ishte e keqja e të keqes, fajtori kryesor për të gjitha tragjeditë që i kishin ndodhur shtetit dhe popullit gjerman, prandaj, ai duhej të zhdukej.
    E zhdukja e tij, kështu, do të ndodhte miliona e miliona herë, pandërprerë, ditë pas dite.
    Zhdukja e tij, do të ishte, në instancë të fundit një statistikë. Që thotë shumëçka, por realisht, nuk shpjegon asgjë.
    Fjalët e Herzberg-ut vetëm sa fitojnë në fuqinë dhe në peshën e tyre këto ditë kur, për herë të parë u shënua Dita e kujtimit të gjenocidit në Srebrenicë (11 maji), pas miratimit të Rezolutës në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

    Në varrezat në vendin Potočari, afër Srebrenicës, gjetën prehjen edhe 14 viktima të tjerë të këtij krimi të tmerrshëm, 39 vjet më parë, kur në korrikun e 1995-tës, forcat ushtarake dhe paraushtarake serbe të Republikës Serbe, vranë në mënyrë sistematike, me plan, mbi 8700 boshnjakë civilë të moshave 12-77 vjet, apo, nëse do ta parafrazonim Herzberg-un, e vranë një boshnjak mbi 8700 herë.
    Pushteti i Serbisë i asaj kohe (që lidhej me Slobodan Miloševićin, Kryetarin e Serbisë), diku që nga vitet e tetëdhjeta, kishte krijuar ‘dukjen’ dhe ‘identitetin’ e atij shqiptari imagjinar (para se të gjithash), pastaj edhe të kroatit dhe të boshnjakut imagjinar.
    Të gjithë këta veç e veç dhe së bashku, ishin kërcënim i madh për Serbinë e asaj kohe, vetëm e vetëm pse ishin të tillë çfarë ishin, me një përkatësi kombëtare dhe fetare tjetërfare prej kësaj të Serbisë së Slobodan Miloševićit.

    Kjo ishte e mjaftueshme pastaj që në atë kontekstin e zhbërjes së shtetit të përbashkët të RSFJ-së (Federatës së Jugosllavisë), i cili nuk mundi dot t’i përballojë mësymjes së Beogradit për ta rikonfiguruar sipas modelit të vet këtë shtet, por edhe në vijim të rrethanave krejtësisht të reja ndërkombëtare pas rrëzimit të Murit të Berlinit dhe përfundimit të ’Luftës së Ftohtë’, të nisin luftërat me qëllimin e vetëm që të krijohet një Serbi e Madhe në të cilën nuk do të kishte vend për popuj të tjerë.
    Është kjo një histori e njohur për të gjithë ne që e përjetuam dhe e mbijetuam ate.
    Histori kjo që nuk e ka ndërmend të pushojë në paqe, siç ka ndodhur ta zëmë në Evropën Perëndimore vetëm 10-15 vjet pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore (në vitin 1945), përkundër tregjedive të pashoqe të shkaktuara nga kjo luftë.

    Kjo histori nuk mund të pushojë në paqe, sepse paqja e brishtë në këto anë të Evropës, po kërcënohet sërish nga një politikë që si atëherë, në vitet e nëntëdhjeta, ka si kryeqytet të vetin Beogradin.
    Paqja, pas luftërave aq tragjike siç ishin ato në territoret e ish-RSFJ-së, askund nuk bëhet vetëm me Marrëveshje dhe me dokumente legale.
    Ajo duhet domosdoshmërisht të përcjellet me pendesën për të gjitha të këqijat e shkaktuara të tjerëve, me kërkim falje për këto tragjedi, me gjestet simbolike por shumë domethënëse që paralajmërojnë pajtimin në mes të popujve dhe shteteve, me synim të një bashkëjetesë dhe fqinjësie të mirë.
    Pushteti i sotëm i Serbisë i Presidentit Aleksandar Vučić, nuk pranon dot që në Serbrenicë është kryer një gjenocid, edhe përkundër verdikteve të njohura të Tribunalit për krime lufte në Hagë (ICTY), edhe pas miratimit të Rezolutës në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

    Ky pushtet nuk ka shfaqur pendim dhe kërkim falje për të gjitha tragjeditë e shkaktuara në Kosovë ndaj popullit shqiptar. Përkundrazi.
    Për këto shkaqe zatën, historia është ende gjallë në këto anë të Evropës. Dhe ky është lajm i keq për të gjithë ne.

    Nga Rubrika
    Opinione22 Nëntor 2024
    GJNP ka nxjerrë urdhër-arreste kundër kryeministrit të Izraelit Netanjahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes Gallant. Çfarë do të thotë kjo dhe çfarë pasojash...
    Opinione21 Nëntor 2024
    Nga Hisen Berisha: Kështu veprojnë tradhtarët e të shiturit tek armiqtë e vendit. Në një shtet të konsoliduar me sistem juridik të...
    Opinione20 Nëntor 2024
    Shkruan: Bekim Çollaku Fitorja e presidentit Donald Trump në zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) ka ndezur një debat...
    Të tjera
    Lajme23 Nëntor 2024
    Kryetari i Forumit Rinor të LDK’së, Paris Guri ka reaguar pas raportimeve se Ministri i Bujqësisë, Faton Peci ka bërë pezullimin e...
    Lajme23 Nëntor 2024
    Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot u shpreh se anëtarësimi i Kosovës në NATO-s është dëshirë e hershme, pasi një herë...
    Lajme23 Nëntor 2024
    Kandidati për kryeministër i koalicionit AAK, Nisma, Lista Konservatore dhe Forumi Intelektual E-30, Ramush Haradinaj, ka prezantuar kandidatët për deputetë nga Ferizaji....
    Sport23 Nëntor 2024
    Bayer Leverkusen me përmbysje e ka mposhtur Heidenheim, me rezultat 5-2, të shtunën në kuadër të javës së 11-të të Bundesligës gjermane....
    Lajme23 Nëntor 2024
    Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot ka thënë se vendi i tij mbështet heqjen e pjesshme të masave të BE-së ndaj...
    Lajme23 Nëntor 2024
    Ende pa u bërë një javë prej kur në media u raportua për grantin rreth 100 mijë euro që ministria e Bujqësisë,...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.