Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës (AAC), Bujar Ejupi, ka marrë vendim për ta thyer monopolin e kompanisë kosovare “EX FIS” për furnizim me kerozinë të aeroplanëve në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.
Sipas këtij vendimi të datës 19 janar 2021, të cilin e posedon portali “Front Online”, aplikimi i tarifave të pa aprovuara nga AAC-ja mund të ndikoj në rritjen e kostove të kompanive ajrore, respektivisht rritjen e çmimit të biletave të udhëtarëve, si dhe në të njëjtën kohë mund ta vendosë Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës me një pozitë jokonkurruese me aeroportet e rajonit.
Përndryshe, kompania “EX FIS” është kompania që ka monopol që disa vite për furnizim të aeroplanëve me kerozinë, të cilin furnizim më herët e bënte kompania angleze “British Petroleum”.
Në pikën katër të vendimit të drejtorit Ejupi, thuhet se obligohet organi menaxhues LKIA sh.a të trajtojë në mënyrë të barabartë të gjithë operatorët për ofrimin e shërbimeve në tokë, përderisa ky organ nuk ka aplikuar për kufizim të shërbyesëve në tokë.
“LKIA duhet të menaxhoj me infrastrukturë të centralizuar në mënyrë transparente, objektive dhe jodiskriminuese dhe në veçanti të mos pengoj qasjen e furnizuesëve të shërbimeve në tokë”, thuhet mes tjerash në këtë vendim.
Në arsyetimin e këtij vendimi, i cili hyn në fuqi në ditën e nënshkrimit (19 janar 2021), bëhet e ditur se drejtori Ejupi se në korrik të vitit 2020 ka takuar ofruesin e shërbimeve në tokë për karburante “EX FIS”.
/Front Online/