Kandidati për deputet i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hajdar Beqa, ka shprehur entuziazmin dhe optimizmin e tij pas tubimit të zhvilluar në Ferizaj.
Në një postim në rrjetet sociale, Beqa theksoi se qyteti i Ferizajt ka treguar sërish se është i vendosur të mbështesë PDK-në në zgjedhjet e 9 shkurtit, duke theksuar se banorët e këtij qyteti e kanë provuar se çfarë do të thotë të udhëhiqesh nga PDK-ja.
“Ferizaji edhe sonte e dëshmoi se është i vendosur për ta votuar PDK-në në zgjedhjet e 9 shkurtit, pasi e ka provuar se çfarë do të thotë të udhëhiqet nga PDK-ja. Prandaj, ferizajasit janë të bindur për platformën ‘Kosova Mundet Më Mirë’ me kryeministër Bedri Hamzën,” shkroi Beqa.
Kandidati i PDK-së theksoi se besimi në fitoren e partisë është i paepur dhe se qytetarët e Ferizajt janë të angazhuar për një të ardhme më të mirë për Kosovën, duke besuar fuqishëm në vizionin e platformës dhe liderëve të PDK-së.