Autori është gazetar në portalin “Front Online”. Aktualisht vijon studimet Master për Gazetari në Universitetin e Prishtinës.
Lulet i morët. A i ujitet, nëse po, me çka? Ujë apo gjak. Po i pyes tri gra. Njëra jeton në Ferizaj. Tjetra në Klinë. E treta në Vushtrri. Përgjigjja: Ato hëngrën dajak e u bënë për spital nga burrat e tyre. Kah prilli, pa u bë mirë një muaj kur nga të njëjtit, për 8 Mars – Ditën e Gruas – pranuan buqeta lulesh. Nime, a po ua nini erën trëndafilave?
Kjo është historia e dhimbshme e tri grave, për të cilat njoftoi Policia në tri raporte të ndryshme të saj ditore. Në fakt, s`është veç e tyre. Është historia e mijërave grave kosovare që përjetojnë situata të ngjashme. Njëherë, befasohen me lule, parfume, e çka jo. Pastaj, fatkeqësisht, shndërrohen në thasë boksi. Goditën e nokautohen. Nga burrat, në meritofshin të quhen kështu. Nga ata që shtëpinë e shohin si ring.
Vetëm në vitin 2022 në Kosovë janë raportuar 2768 raste të dhunës në familje, dhunës ndaj grave dhe ngacmimeve seksuale. Sipas Policisë, kjo përbën një rritje rrapide, krahasuar më 2017-ën, kur ishin shënuar 1269 raste. E TMERRSHME, SHQETËSUESE, E PAFALSHME!
Dikush numëron shkaqet që çuan deri tek rrahja apo vrasja e një gruaje. GABIM. Kërkimi i motivit në këso raste nënkupton arsyetim. E s’ka rrethanë që e arsyeton ngritjen e dorës nga i ligu, burri mbi të fortën, gruan.
Por, ka diçka që e ndërpret historinë: NJË DITË LULA, 364 TJERA PLUMBA E SHPULLA.
Shqiptimi i dënimeve të rrepta për burrat nga drejtësia. Mbi të gjitha, EDUKIMI. ASO që ndryshon MENDËSINË.
Edukim që mendësinë e kësifarshme – që gruan e sheh si kundërshtare në meç – ta transformojë në të tillë që e konsideron nënën, gruan, motrën, çikën si qenien më të mirë në botë, e cila meriton buqetë të mirash: respekt, dashuri dhe barazi. Jo veç një ditë. PO 364.
Receta e një mendësie të hairit si kjo përgatitet në shtëpi, piqet në shkollë, shijohet kudo.