×
  • Lajme
  • Lajme

    Gracka nga komedianët rusë nxit reagime të shumta në Kosovë, Kurti u bë lajm në shumë media ndërkombëtare

    FrontOnline
    27 Mars 2025

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka rënë pre e dy komedianëve rusë të njohur si Vovan dhe Lexus, duke menduar se po komunikonte në telefon me presidentin e Letonisë.

    Gracka në të cilën ra Kurti nxiti reagime të shumta në Kosovë, ndërkohë që Qeveria e cilësoi si “incident fatkeq”.

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, reagoi me një video, teksa duke e dëgjuar tund dhe kap kokën.

    Ndërkaq, sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka thënë se rënia në grackë nuk është “pjesa më e turpshme”, por se “e turpshme dhe skandaloze” është përmbajtja e asaj bisede, duke theksuar pjesën ku Kurti flet për opozitën, mediat, bizneset e administratën e re amerikane, shkruan Reporteri.net.

    “E gjithë biseda nxjerr në pah një nivel shqetësues sipërfaqësor dhe të paditur në trajtimin e çështjeve të politikës së jashtme. Dhe nëse kjo është mënyra se si Kurti flet në takime me liderë ndërkombëtarë, atëherë… mozomakeq për ne. Mjerim”, ka thënë Çitaku.

    “Jo inekzistente, por e neveritshme”. Kështu u shpreh rreth diplomacisë së vendit, Doarsa Kica-Xhelli, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, referuar mashtrimit ku ra pre kryeministri i vendit, Albin Kurti, nga dy rusët që iu paraqitën si presidenti letonez.

    “Mendoja që diplomacia e Kurtit është inekzistente. Paskam qenë gabim! Qenka e neveritshme!”, shkroi ajo.

    Përveç reagimeve të shumta në Kosovë, lajmi mori dhenë. Për pranku-un kanë shkruar edhe media të njohura ndërkombëtare.

    Mediumi “AssociatedPress”, duke cituar zyrën e kryeministrit, transmeton justifikimin e kabinetit të Kurtit që “Kurti ka pasur shumë telefonata në rastin e fitores së zgjedhjeve të 9 shkurtit, sa kanë pasur të pamundur të verifikojnë në detaje çdo telefonatë”.

    AP, tregon edhe për përmbajtjen e bisedës, duke thënë se është folur edhe për Serbinë e Rusinë.

    Këtë lajm e ka marrë edhe gjiganti mediatik “WashingtonPost”, duke raportuar për grackën në të cilën ra Kurti.

    Po ashtu, përmendet edhe fakti që akoma nuk janë certifikuar rezultatet zgjedhore, e që pastaj presidentja e Kosovës do t’i kërkojë Kurtit të fillojë përpjekjen për formimin e Qeverisë.

    Çka foli Kurti me dy komedianët?

    Nga ZKM konfirmuan se ngjarja ka ndodhur më 11 shkurt, dy ditë pas zgjedhjeve në Kosovës, shkruan Reporteri.net.

    Zyra e Kurtit e ka quajtur këtë incident fatkeq.

    ZKM është munduar që ta lidhë këtë rast me ndikimin e dezinformatave ruse në zgjedhjet e Kosovës.

    Biseda,  nis në atë mënyrë që fillimisht presidenti letonez e uron Kurtin për fitoren e zgjedhjeve të 9 shkurtit, ndërsa Kryeministri menjëherë i përmend luftën hibride që sipas tij është bërë kundër qeverisë së tij, kryesisht nga Serbia dhe Rusia, por edhe nga “disa elemente brenda Kosovës”.

    Pjesë e bisedës së Kurtit me “Presidentin letonez” ishte edhe Richard Grenell.

    Kurti, në rrengun e komedianëve rusë thotë se emisari special i Presidentit Trump kishte qenë një instrument për rrëzimin e qeverisë së tij gjatë pandemisë.

    Por, “llafi” për Grenellin nuk mbaron me kaq.

    Kurti i cili vazhdon e ha “rrengun” e rusëve, flet për pozitën e re të Grenellit në administratën Trump, – emërimin e tij si drejtor të përkohshëm ekzekutiv të Qendrës Kennedy – duke thënë se presidenti i ShBA-së e kishte vendosur për të udhëhequr një institucion kundër “drag queen-ëve”, ani pse Kurti potencon se “ai është gej”, ndërsa pyet dhe “presidentin letonez” nëse e dinte që Grenell është “gej”.

    Duke i theksuar orientimin seksual të Grenellit, Kryeministrit Kurti rrëfyshëm i vie deklarata si përgjigje ndaj pyetjes që i bëri, se edhe vetë “presidenti letonez” me të cilin supozohej që po bisedonte është “gej”.

    “E di të që unë jam gej?”, është pyetja drejtuar Kurtit, i cili sikur në siklet thotë se nuk e dinte një gjë të tillë për “presidentin e Letonisë”

    Kurti, gjithmonë nën pretendimin se nga ana tjetër e telefonit kishte Presidentin e Letonisë, Edgars Rinkēvičs, i flet atij edhe për hyrjen në NATO, dhe përgatitjet që shtetit i Kosovës po bën. Ndërsa këtu i përmend edhe sulmin në Ibër Lepencë, që siç i thotë në bisedë, pas tij ka qenë Serbia dhe Rusia.

    Kryeministri Kurti nuk lë pa përmendur edhe terroristin Milan Radoiçiq, për të cilin i thotë “presidentit letonez” se është lider i serbëve në veri, dhe se kur “ai” i thotë ta arrestojë, Kurti ia kthen se s’mundet pasi ndodhet në Serbi.

    Në fund të bisedës telefonike, Kurti i ankohet atij edhe për “masat e padrejta” ndaj Kosovës.

     

    Nga Rubrika
    Front TV30 Mars 2025
    Një person ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti trafiku në fshatin Bresje të Fushë-Kosovës të dielën mbrëma. Zëdhënësi i Policisë,...
    Bota/Rajoni30 Mars 2025
    Se a do të “ringjallet” dialogu Kosovë-Serbi, pas zëvendësimit të Lajçakut me Peter Sorensen, në Beograd thonë se kjo çështje ka mbetur...
    Lajme30 Mars 2025
    Faqja “Vrojtuesit e Lagjes –Prishtinë”, ka publikuar një video teksa një grua gërryen tepsinë dhe mbetjet i hedhë nga dritarja e banesës...
    Të tjera
    Vip30 Mars 2025
    Ditën e sotme (e diel) shënohet Fitër Bajrami. Me këtë rast ka pasur urime e dedikime të shumta përmes rrjeteve sociale, ku...
    Bota/Rajoni30 Mars 2025
    Presidenti franzec, Emmanuel Macron, njofton se ka zhvilluar bisedë telefonike me homologun e tij serb Aleksandar Vuçiq. Macron informon se ata biseduan...
    Vip30 Mars 2025
    Aktorja e mirënjohur shqiptare, Olta Gixhari është në mesin e figurave publike që ka uruar festën e Fitër Bajramit. Ani pse ishte...
    Lajme30 Mars 2025
    Java e ardhshme në vendin tonë, parashikohet të jetë me kushte të ndryshueshme atmosferike, me vranësira të shpeshta, reshje të herëpashershme shiu...
    Bota/Rajoni30 Mars 2025
    Qytetarët e Bashkimit Evropian duhet të grumbullojnë mjaftueshëm ushqime dhe furnizime të tjera thelbësore për t’i mbajtur ata për të paktën 72...
    Lajme30 Mars 2025
    Presidentja Vjosa Osmani ka kujtuar masakrën e dytë në Abri të Epërme, të kryer nga regjimi gjenocidal i Serbisë, e që familja...
    -->

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.