Drejtori i të ashtuquajturës Zyre Serbe për Kosovën, Marko Gjuriq ka komentuar vizitën e delegacionit të Qeverisë amerikane, të kryesuar nga drejtori ekzekutiv i Korporatës amerikane për Financimin e Zhvillimit Ndërkombëtar (DFC), Adam Boehler, pjesë e të cilit është edhe Richard Grenell – emisar për bisedime i presidentit amerikan, Donald Trump.
Gjuriq thotë se vizita e këtij delegacioni në Beograd është një tregues se marrëveshja ekonomike nga Washingtoni po zbatohet me shpejtësinë e rrufesë.
Ai deklaroi se dera po hapet për një kapitull të ri në marrëdhëniet amerikano-serbe, kryesisht në ekonomi, raporton Tanjug.
Ndalesa e parë e delegacionit amerikan do të jetë Prishtina ku pasditen e sotme (në orën 18:30) do të pritet nga kryeministri Avdullah Hoti.
Nga zyra e kryeministrit kanë konfirmuar për Klankosova.tv se gjatë këtij takimi do të nënshkruhet edhe një marrëveshje.
Pas Kosovës, delegacioni do të vazhdojë vizitat në Serbi, Greqi dhe Izrael.