
Kryetari i Pejës dhe anëtari i kryesisë qendrore të LDK-së,Gazmend Muhaxheri, i ftuar në “Radio 1”, ka folur për aktualitetin politik me theks të veçantë zhvillimet e mundshme në raportin LDK-VV.
Muhaxheri ka thënë se LDK e ka nominuar Vjosa Osmanin për kryeministre dhe kandidatura është e panegociueshme. Muhaxheri ka lënë hapur të gjitha mundësitë e tjera për ujdi me VV-në.
“Është e qartë që LDK e ka nominuar Vjosa Osmanin dhe kandidatja jonë nuk mundet të negociohet në çështjen e kryeministrit të ardhshëm të Republikës së Kosovës. Të gjitha opsionet e tjera janë të hapura dhe ka mundësi t’i diskutojmë deri më 30 gusht kur përfundon afati për koalicione” deklaroi Muhaxheri.
“Besoj që nuk do jem në listë. Nëse kryesia e LDK-së vendos që të jem, normal që duhet të dal. Nga dega jo. Ne nga dega i kemi tre kandidatë të suksesshëm që kanë qenë edhe deputetë, janë, Kujtim Shala, Besa Gaxheri dhe Ramiz Kelmendi”, tha Muhaxheri për “Radio 1”.
Kryetari i Pejës ka folur edhe për mundësitë e ndonjë bashkëpunimi paszgjedhor edhe me subjektet e tjera siç janë koalicioni AAK-PSD apo Nisma-AKR.
Duke ju përgjigjur pyetjes se a ka ujdi mes Vjosa Osmanit dhe Lutfi Hazirit sa i përket qëndrimit për ndryshim territoresh Kosovë-Serbi, Muhaxheri ka thënë se është qëndrim i LDK-së, i votuar tashmë se nuk ka ndryshim territoresh.