
Komunarët e Fushë-Kosovës kanë paralajmëruar mbylljen e linjës së thirrjeve për ndihma që ka nisur gjatë pandemisë COVID-19. Ata kanë thënë se thirrje të tilla nga qytetarët do të pranohen deri më 15 maj, që i bie ditën e premte.
“Për shkak të gjendjes në të cilën po kalojmë, Shtabi Emergjent i Komunës së Fushë-Kosovës njofton qytetarët se vetëm deri të premten më datë 15.05.2020 do të pranohen thirrjet për ndihma kurse nga e hëna datë 18.05.2020 nuk do të ketë më linja të hapura për thirrje”, thuhet në një njoftim të kësaj Komune.
Ndërkohë, gjatë ditës së martë, ndihma për familjet në nevojë në këtë komunë ka dhënë zyrtarët e Kombeve të Bashkuara në Kosovë.
“Sot, përfaqësuesi special i sekretarit gjeneral të Kombeve të Bashkuara për Kosovë, z.Zahir Tanin së bashku me bashkëpunëtorë takuan kryetarin e Komunës së Fushë-Kosovës z. Burim Berisha me bashkëpunëtorë me ç’rast z.Tanin dhuroi ndihma të konsiderueshme ushqimore dhe higjienike për qytetarët e Komunës së Fushë-Kosovës për ato familje që kanë nevojë për ndihmë”, thuhet në një njoftim tjetër të Komunës së Fushë-Kosovës.
Zyrtarët komunalë presin që ky bashkëpunim me UN-in do të vazhdojë edhe në të ardhmen me ndihma tjera.