Nga: Gideon Rachman, The Financial Times.
“Evropa jonë është e vdekshme; ajo mund të vdesë”, paralajmëroi Emmanuel Macron në fund të prillit. Kush e dinte se vetëm disa javë më vonë, presidenti i Francës do të fillonte të testonte pikëpamjen e vet duke kërkuar zgjedhjet e parakohshme të cilat kërcënojnë ta zhysin gjithë BE-në në një krizë potencialisht vdekjeprurëse?
Aktualisht, vëmendja globale është përqendruar në dramat e menjëhershme politike në Francë. Raundi i parë i votimit do të zhvillohet më 30 qershor. Tubimi Nacional [RN] i ekstremit të djathtë aktualisht kryeson në sondazhe, me Frontin e Ri Popullor – koalicion i dominuar nga e majta ekstreme – në vendin e dytë.
Në rastin më të mirë, Parlamenti i dominuar nga ekstremet politike do ta zhyste Francën në një periudhë të zgjatur të mungesës së stabilitetit. Në rastin më të keq, do të çonte në miratimin e politikave shpenzuese dhe nacionaliste të cilat shpejt do të provokonin krizën ekonomike dhe sociale në Francë.
Kolapsi francez shpejt do të bëhej problemi i BE-së. Do të jenë dy mekanizma kryesorë të transmisionit. I pari është fiskal. I dyti është diplomatik.
Franca është në rrëmujë financiare. Borxhi publik është 110 përqindëshi i PBB-së dhe vitin e kaluar qeveria aktuale pati deficit buxhetor prej 5.5 përqind. Si e djathta ekstreme ashtu edhe e majta ekstreme janë të përkushtuara ndaj rritjes së madhe të shpenzimeve dhe uljes së taksave që do të fryjnë borxhin dhe deficitin, duke shkelur kështu rregullat e BE-së.
Bruno Le Maire, ministri i Financave i Francës, ka paralajmëruar se fitorja për secilin nga ekstremet mund të çojë në krizë borxhi në Francë dhe mbikëqyrjen e financave të vendit nga FMN-ja ose Komisioni Evropian. Le Maire ka vënë në dukje reagimet ndaj “mini”-buxhetit të Qeverisë Truss në Britani, për të nënvizuar se sa shpejt mund të kthehen tregjet kundër një qeverie që është e pamatur në aspektin financiar.
Në realitet, kriza fiskale franceze mund të jetë më e keqe sesa sprova e Britanisë me Liz Trussin. Në Mbretërinë e Bashkuar ekzistonte mekanizmi për ta shkarkuar shpejt Trussin dhe për të rivendosur qeverinë racionale. Kjo detyrë do të ishte shumë më e vështirë në Francë, ku e djathta ekstreme dhe e majta ekstreme kanë lidership me pozicione të forta dhe që anash nuk i kanë politikanët më të kujdesshëm të cilët bazohen në realitet.
Komplikimi i dytë i madh është se Franca është një nga 20 vendet të cilat e përdorin monedhën e përbashkët evropiane.
Çfarë do të ndodhte nëse do të rritej primi i rrezikut për bonot franceze? BE-ja tashmë i ka mekanizmat për t’u inkuadruar dhe për të ndërhyrë me blerjet e bonove. Por, a do të ishin të gatshëm Brukseli apo Berlini të pajtoheshin me veprimin e tillë, nëse kriza do të provokohej nga premtimet e shpenzimeve franceze të cilat nuk mund të financohen? Qeveria gjermane aktualisht po përpiqet të gjejë kursimet prej miliarda dollarëve në buxhetin e vet kombëtar. Pse do të pranonte një pako shpëtimi për Francën që shpenzon?
E djathta ekstreme dhe e majta ekstreme franceze janë gjithashtu krejtësisht euroskeptikë – dhe, që tashmë po i kundërshtojnë diktatet nga Brukseli dhe po e shprehin armiqësinë ndaj Gjermanisë. Platforma elektorale e RN-së flet për “divergjencë të thellë dhe të papajtueshme” midis pikëpamjeve botërore të Francës dhe Gjermanisë. Jordan Bardella, i cili ka të ngjarë të jetë kandidati i RN-së për kryeministër, së fundmi kërcënoi se me dy-tre miliardë euro në vit do të shkurtojë kontributin e Francës në buxhetin e BE-së.
Gjatë krizës greke të borxhit, e cila zgjati në pjesën më të mirë të një dekade, sfida e BE-së nga Athina u tejkalua përfundimisht nga kërcënimi për ta dëbuar Greqinë nga euroja – lëvizje që do të kishte shkatërruar vlerën e kursimeve greke. Por, dëbimi i Francës nga euroja – ose nga vetë BE-ja – është e pakonceptueshme. I gjithë projekti evropian është ndërtuar – që nga vitet 1950 – rreth çiftit franko-gjerman.
Ka shumë më tepër gjasa që Franca të qëndrojë në BE dhe në monedhën e përbashkët, por të veprojë në mënyrë destruktive. Kjo do të shkatërronte kohezionin dhe stabilitetin evropian në një kohë kur BE-ja po përpiqet të bashkohet përballë kërcënimit nga Rusia.
Nëse Macroni nuk jep dorëheqje (gjë që duket e pamundur), ai do të vazhdojë të përfaqësojë Francën në samitet ndërkombëtare dhe në takimet e BE-së. Por, duke pasur parasysh luhatjet e minutës së fundit në sondazhe, presidenti francez ka të ngjarë të dalë nga këto zgjedhje si figurë shumë e tkurrur. Disa nga kolegët evropianë të Macronit mund të shijojnë në heshtje spektaklin e “Jupiterit” duke u përulur. Por, do të ishte i zymtë ndikimi i përgjithshëm në Evropë i një France të tkurrur dhe të zemëruar.
Instinktet fillestare të RN-së do të ishin përballja me Brukselin në emër të sovranitetit francez. Por, udhëheqësit e ekstremit të djathtë, viteve të fundit kanë treguar njëfarë ndërgjegjësimi se euroskepticizmi i vijës së ashpër mund të tremb dhe tjetërsojë votuesit dhe tregjet. Pas humbjes së zgjedhjeve presidenciale të vitit 2017, RN në heshtje hoqi dorë nga llafet për largimin nga euroja.
Kriza ekonomike – e kombinuar në një konfrontim me Brukselin dhe Berlinin – mund të bëjë që RN-ja të rikthehet në instinktet e veta nacionaliste dhe konfrontuese. Përndryshe, realitetet e qeverisjes mund ta detyrojnë atë drejt akomodimit me BE-në.
Ata me kujtesë më të gjatë mund të flasin për krizën ekonomike në Francë në fillim të viteve 1980, kur një qeveri socialiste u përpoq të zbatonte axhendën e majtë radikale. Ajo krizë përfundimisht çoi në ngritjen e Jacques Delorsit, fillimisht si ministër francez i Financave dhe më pas si president i Komisionit Evropian. Në Bruksel, Delors shtyu përpara përparimet dramatike në integrimin evropian dhe lëshimin e monedhës së përbashkët.
Historia nuk ka gjasa të përsëritet në të njëjtën mënyrë. Por, përvoja e dekadave sugjeron se është gabim të vihet bast kundër aftësisë së BE-së për të kapërcyer kërcënimet që duken të vdekshme. /Telegrafi/