
Ministria e Mbrojtjes e Nigerit njoftoi se 75 militantë të grupit Boko Haram janë vrarë gjatë operacioneve të sigurisë gjatë kësaj jave në rajonin ku takohen kufijtë e Nigerit, Nigerisë dhe Çadit.
Kryengritja e grupit Boko Haram filloi në vitin 2009 dhe vazhdon sot e asaj dite me sulme në territoret e Çadit, Nigerit dhe Kamerunit.
Operacionet e forcave ushtarake u ndërmorën pas një vargu të sulmeve nga grupi Boko Haram ndaj pozicioneve të ushtrisë afër qytezës Diffa, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Mbrojtjes.
Në njoftim thuhet se 25 militantë u vranë gjatë luftimeve 75 kilometra në jug të Diffas dhe 50 të tjerë përmes sulmeve të përbashkëta ajrore mes forcave të Nigerit, Nigerisë dhe Çadit në zonën e Liqenit Çad.
U njoftua gjithashtu se gjatë operacioneve janë konfiskuar armë dhe një bazë logjistike që përdorej nga militantët është shkatërruar, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.
Agjencia për Refugjatë e Kombeve të Bashkuara tha të martën se dhuna në pjesën veriperëndimore të Nigerisë i ka detyruar rreth 23 mijë persona që të shpërngulen në Niger nga muaji i kaluar dhe shprehu shqetësime për gjendjen e përkeqësuar të sigurisë në atë rajon.