Irani të enjten e quajti fitoren e Donald Trump në zgjedhjet presidenciale një mundësi që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të rivlerësojnë gabimet e së kaluarës.
“Ne kemi përvoja shumë të hidhura me politikat dhe qasjet e qeverive të ndryshme amerikane në të kaluarën”, tha zëdhënësi i ministrisë së Jashtme, Esmaeil Baghaei, duke shtuar se fitorja e Trump ishte një shans “për të rishikuar politikat e mëparshme të gabuara”, raporton IRNA, transmeton Klankosova.tv.
Trump, i cili do të kthehet në Shtëpinë e Bardhë në janar, pasi mposhti zëvendëspresidenten e ShBA-së, Kamala Harris në zgjedhjet e së martës, kishte ndjekur një strategji “presioni maksimal” ndaj Iranit gjatë mandatit të tij të parë.