Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, sot në konferencë për shtyp ka raportuar për gjendjen me coronavirusin në vend. Ai tha se pas kontakteve me autoritet e vendeve të rajonit është konstatuar se në gjithë rajonin tashmë ka valë të re të coronavirusit.
Sipas tij kjo po ndodhë për shkak të largimit të masave kufizuese si dhe mosrespektimit të masave mbrojtëse, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Gjatë 10 ditëve të fundit kriza me coronavirusin ka eskaluar gjithandej në Ballkan, në vendet fqinjë. Sipas të dhënave zyrtare, në Serbi 7 ditëve të fundit janë regjistruar mbi 300 raste në ditë, në Bullgari mbi 150, në Bosnje mbi 170, në Kroaci mbi 86, Mal të Zi 58, Shqipëri rreth 70 dhe në Kosovë mbi 100 raste”.
“Vala e re po ndodhë në të gjitha vendet e rajonit, kjo vjen si rezultat i mos zbatimit të masave dhe rekomandimeve të qeverisë. Ditëve të fundit statistikat flasin se virusi akoma është mes nesh dhe se duhet t’i respektojmë masat për mbrojtje personale”, tha Filipçe.
Në lidhje me çështjen e kufijve, ai tha se situata po vëzhgohet dhe se ata do të mbeten të hapur për momentin.
“Rreth kufijve, intensivisht kemi shqyrtuar informacionet gjatë fundjavës por edhe mëngjesin e sotëm në Komisionin për Sëmundje Infektive, kemi biseduar edhe me përfaqësues, epidemiologë nga Qendrat për Shëndet Publik në shumë qytete në pjesën jugore të Serbisë dhe po presim edhe disa informacione shtesë. Dua të them se është absolutisht është e mundur që ditëve në vijim të rekomandojmë masa, nëse vërtetojmë se rreziku nga hyrja e qytetarëve nga këta vende mund të rrezikojë sistemin tonë”, tha mes tjerash Filipçe.