Ish-eprori i UÇK-së nga zona operative e Llapit, Salih Mustafa, është i arrestuari i parë nga Dhomat e Specializuara.
Ai u vu në pranga në shtëpinë e tij në Matiqan të Prishtinës nga Policia e EULEX-it.
Nga Zyra për Media e EULEX-it kanë konfirmuar për klankosova.tv se e arrestuan atë në bazë të urdhërarrestit, urdhrit për transferim dhe aktakuzës së konfirmuar, të lëshuar nga gjyqtari i procedurës paraprake i Dhomave të Specializuara të Kosovës.
“Misioni për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) i ka dhënë përkrahje operacionale dhe logjistike ZSP-së në bazë të mandatit të tij dhe në përputhje me legjislacionin e Kosovës”, thuhet në përgjigje.