Zëvendëskryeministri Driton Selmanaj e ka vlerësuar fitore të madhe për Kosovën marrëveshjen e Uashingtonit me Serbinë.Ai në seancën e sotme plenare tha se marrëveshja e 4 shtatorit në Shtëpinë e Bardhë është hapi më i madh i Kosovës që nga shpallja e pavarësisë.
Por këtij i ka reaguar shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje Rexhep Selimi, i cili e kritikoi Selmanajn për të ashtuquajturën fitore kur sipas tij “është ndarë Ujmani”.
“Marrëveshja e tillë për vlerësimin tonë është hapi më i madh që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës. Nuk po i jap epitete si hap historik se i ka dhënë Shtëpia e Bardhë, por është hap i madh drejt hapit historik që do të përmbyllet me njohjen, e cila do të jetë së shpejti”, tha ai.
Por, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Rexhep Selimi iu drejtua zëvendëskryeministrit Selmanaj duke e quajtur ‘të padurueshëm’.“Përveç që jeni të këqij përnjëmend jeni të padurueshëm. Po çfarë zëvendëskryeministri je ti kur del këtu edhe përveç ironisë bën shaka për atë që keni bërë më 4 shtator. Qysh po e quani fitore, fitore e madhe për ty ndoshta, po qysh po e quan fitore ke shkuar atje, ke ndarë Ujmanin me Serbinë, a s’po të vjen marre, a? Qysh po e quan fitore ti kufirin shtetëror e ke zhbërë, e ke quajtur marrëveshje? Pikë e përbashkët thua se është në Palestinë atje!”, tha ai.