×
  • Bota/Rajoni
  • Bota/Rajoni

    Emrat e rinj të administratës së re Trump dhe debatet e para

    FrontOnline
    14 Nëntor 2024

    Presidenti i zgjedhur Donald Trump ka emëruar këtë javë një sërë emrash që do të drejtojnë agjencitë që trajtojnë çështje të sigurisë kombëtare, nga sekretari i Mbrojtjes tek ambasadori në Izrael. Por gama e përzgjedhjeve ka ngritur pikëpyetje mes ekspertëve. Ata thonë se disa prej emrave si senatori Marco Rubio, i cili pritet të mbajë pozitën e Sekretarit të Shtetit në administratën e re – janë ekspertë me përvojë, ndërsa të tjerëve sipas tyre, duket se u mungon ekspertiza, apo mbështetja që do t’u duhej për të kryer detyrën.

    Analistët vlerësojnë emërimin nga Presidenti i zgjedhur Donald Trump të senatorit Marko Rubio për postin e Sekretarit të Shtetit. Ata thonë se zoti Rubio e njeh mirë politikën e jashtme dhe do të dijë ta pasqyrojë axhendën e administratës së re.

    “Mendoj se senatori Rubio, pasqyron në masë të madhe pikëpamjet e gjera republikane për rëndësinë e rolit të Shteve te Bashkuara në botë. Një ndjenjë disi dypartiake mes shumë anëtarëve të Kongresit mbi rëndësinë e mbështetjes së partnerëve dhe aleatëve. Ai është mbështetës i fortë i Izraelit dhe shumë i ashpër në përballjen me Iranin. Mendoj se do të pasqyrojë axhendën e kësaj administrate dhe do ta percjellë shumë mirë atë mesazh. Por se sa do të jetë ai i përfshirë në vendimmarrjet ndërinstitucionale kjo është një tjetër çështje pasi nuk shoh shumë afërsi mes tij dhe Presidentit Trump”, thotë Jonathan Lord i programit për Sigurinë e Lindjes së Mesme, në qendrën për një Qasje të re ndaj Sigurisë në Amerikë.

    Por emërimi nga Presidenti i zgjedhur Trump, i Pete Hegseth, gazetar i rrjetit televiziv ‘Fox News’ e veteran lufte, në pozitën e sekretarit të Mbrojtjes, shihet me mëdyshje nga ekspertët.

    Ata thonë se ai ka pak përvojë në menaxhim ndërsa do të jetë në krye të agjencie që ka 1.3 milionë anëtarëve të shërbimit aktiv dhe rreth 1 milion civilë që punojnë për ushtrinë.

    “Emërimi i Hegseth për pozitën e Sekretarit të Mbrojtjes ishte shumë i papritur dhe i pazakontë. Ai ka kualifikime të shkëlqyera si ushtarak e sa i takon shkollimit, por nuk ka përvojë të nivelit të lartë në çështje të sigurisë kombëtare dhe nuk ka drejtuar kurrë një organizatë të madhe. Presidenti Trump ka të ngjarë që e sheh atë si prishës të statu-quosë në një organizatë që ai e konsideron si të papërgjegjshme”, thotë Mark Cancias kolonel në pension i marinës amerikane dhe këshilltar i lartë i Qendrës për Studime Ndërkombëtare e Strategjike.

    Zoti Trump ka dhënë pak detaje mbi politikën e tij të jashtme, por mbështetësit thonë se forca e personalitetit të tij dhe qasja e tij “paqe përmes forcës” do të bëjë që udhëheqësit e huaj të përkulen para vullnetit e tij e të qetësojnë atë që republikanët e quajnë një “botë në zjarr”.

    Administrata e parë e zotit Trump u shënjua shpesh në skenën botërore nga politika e tij tregtare proteksioniste, “Amerika e para”, si dhe retorika izoluese, përfshirë kërcënimet për t’u tërhequr nga NATO.

    Mënyra se si zoti Trump do t’i përgjigjet luftës së Rusisë në Ukrainë, mund të vendosë tonin e axhendës së tij dhe të sinjalizojë qasjen e tij ndaj NATO-s dhe aleatëve kryesorë të SHBA-së, pasi zoti Biden punoi për të rindërtuar marrëdhëniet kyçe që u prishën nën udhëheqjen e paraardhësit të tij.

    Zoti Trump ka qenë kritik ndaj mbështetjes së zotit Biden për Ukrainën dhe ka thenë se nën presidencën e tij, Uashingtoni do të rimendojë rolin e NATO-s. Vitin e kaluar ai i tha agjencisë ‘Reuters’ se Ukrainës mund t’i duhet të lëshojë territor për të arritur një marrëveshje paqeje, diçka që ukrainasit e kundërshtojnë dhe Presidenti në largim Biden nuk e ka sugjeruar asnjëherë.

    Duke iu përgjigjur pyetjes mbi arsyet që qëndrojnë pas çdo emri të përzgjedhur nga zoti Trump, eksperti John Simon thotë.

    “Qartësisht besnikëria, përballja me Kinën, këto janë gjëra mendoj që kanë ndikuar tek zgjedhjet që janë bërë. Nëse flisni për dikë si Marco Rubio ose Mike Waltz, këta janë njerëz që kanë qenë në Kongres për shumë kohë në pozita që lidhen me politikën e jashtme, janë njerëz që udhëheqësit botërorë i njohin”, thote John Simon ish-ambasador në Bashkimin Afrikan, një organizatë ndërqeveritare, e themeluar për të nxitur unitet dhe solidaritetin mes shteteve afrikane.

    Ekspertët shprehën gjithashtu shqetësim për përzgjedhjen e ish-ligjvënëses demokrate Tulsi Gabbard, për postin e drejtoreshës së Zbulimit Kombëtar.

    Zonja Gabbard njihet për kundërshtimin e vazhdueshëm të ndërhyrjes amerikane në Siri dhe se është takuar fshehurazi me presidentin sirian Bashar al-Assad në janar 2017, i cili është akuzuar për abuzime të mëdha me të drejtat e njeriut. Takimi ngjalli kritika nga të dyja palët në Kongres.

    “Emërimi i Tulsi Gabbard hedh një dritë shumë negative mbi gjithçka tjetër. Si mund të emërosh dikë që ka dëshmuar se është e papërgjegjshme nga pikëpamja e sigurisë kombëtare, e cila që do të ulet në mbledhje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, e të mendosh se rezultati do të jetë pozitiv?! Kjo është jashtëzakonisht shqetësuese”, thotë zoti Simon.

    Zoti Trump, i cili emëroi ish-guvernatorin e Arkansasit, Mike Huckabee si ambasador në Izrael, do të përballet gjithashtu me një situatë të paqëndrueshme në Lindjen e Mesme, që kërcënon të shdërrohet në një konflikt më të gjerë rajonal. Izraeli po lufton në Gazë dhe Liban ndërsa po përballet me armikun e përhershëm, Iranin. Zoti Trump ka shprehur mbështetjen për Izraelin për të shkatërruar Hamasin në Gazë, por ka thënë se kryeministri Benjamin Netanyahu, një aleat i tij, duhet ta përfundojë punën shpejt.

    Zoti Trump pritet të vazhdojë ta mbështesë Izraelin me armë, ekzistenca e të cilit siç ka thënë ai, do të rrezikohej nëse zonja Harris do të zgjidhej presidente, një pohim që administrata Biden e ka hedhur poshtë, duke theksuar mbështetjen e saj të fortë për Izraelin./VOA

    Nga Rubrika
    Bota/Rajoni14 Nëntor 2024
    Një urë në Krimenë e pushtuar nga Rusia është shembur “spontanisht”, duke dëmtuar shinat hekurudhore poshtë saj dhe duke lënë dy persona...
    Bota/Rajoni14 Nëntor 2024
    Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, raportet ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës i konsideron të mira duke theksuar se ka një komunikim...
    Bota/Rajoni14 Nëntor 2024
    Izraeli i kreu të enjten dy sulme ajrore në një lagje në perëndim të Damaskut dhe në periferi të kryeqytetit, duke i...
    Të tjera
    Lajme14 Nëntor 2024
    Shefja e grupit parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, ka dënuar sulmin me thikë në Ferizaj, i cili ndodhi për shkaqe etnike.Kusari-Lila ka...
    Lajme14 Nëntor 2024
    Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi gjatë ditës së nesërme do të dorëzojë padi ndaj Ministrisë së Punëve të Jashtme...
    Vip14 Nëntor 2024
    Dalja e Gjestit nga shou më i madh televiziv shqiptar, Big Brother VIP Kosova, do të gëzonte disa prej banoreve brenda shtëpisë....
    Lajme14 Nëntor 2024
    Kryetari i Lidhjes Demokrazike të Kosovë, Lumir Abdixhiku, i ka dërguar mesazh Ministrisë së Arsimit, lidhur me doracakët për Edukatë Seksuale. Nga...
    Lajme14 Nëntor 2024
    Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Enrico Barduani në një intervistë në RTK ka folur rreth hapjes së Urës së Ibrit. Ai ka cituar...
    Lajme14 Nëntor 2024
    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim të enjten gjeneralin Wesley Clark, i cili më parë ka qenë ish-komandant suprem...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.