Fshati Pekisht i Peqinës është duke u boshatisur çdo ditë e më shumë. Në këtë fshat kanë mbetur më së shumti persona të moshuar ndërsa të rinjt kanë emigruar.
Sibe dhe Zeqine Beqiri dy kunatat nga fshati Pekisht kanë humbur bashkëshortët e tyre vite më parë, pas emigrimit që kanë bërë fëmijët e tyre ato kanë vendosur që të jetojnë së bashku për të luftuar vetminë.
Zeqine Beqiri thotë se ato i ndihmojnë njëra tjetrës në secilin rast.
“Ne të dyja jemi këtu vetëm, fëmijët janë jashtë. Qajmë halle njëra tjetrës, sëmurët ajo jam unë, kur unë sëmurem është ajo, i ndihmojnë njëra tjetrës”, deklaroi ajo për DW.
Ndërsa, kryeplaku i fshatit Pekisht, Dervish Beqiri thotë se edhe ata pak banorë që kanë mbetur do të emigrojnë.
“Brenda shtatë viteve kanë ikur shumë banorë. Edhe ata që kanë mbetur janë këtu për shkak të virusit se janë bllokuar. Çdo klase ka nga katër nxënës. Edhe këta që janë këtu do të ikin, nuk ka perspektivë”, pohoi ai.